Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot Kosovën, me rastin e marrjes së detyrës nga ana e presidentit të ri, Hashim Thaçi.
Rama u prit në takim nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me të cilin biseduan për bashkëpunimin mes të dy shteteve. Por e veçanta e këtij takimi ishte se Rama nuk ishte veshur ashtu siç e kërkon protokolli, transmeton Kosovapress.
Me xhinse, një këmishë të bardhë dhe pa kollare, Edi Rama, që njihet për një stil më ndryshe dhe jo shumë protokollar, nuk harroi që në fund të fjalimit të tij, të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mirëkuptimin ndaj veshjes së tij.
Rama: Veshja ime jo-protokollare, e paqëllimshme
“Shumë faleminderit kryeministër për mikpritjen, dhe mirëkuptimin për veshjen time jo fort protokollare, por krejtësisht e paqëllimshme. Dhe, faleminderit edhe juve për praninë tuaj”, tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Nesër Rama do të jetë pjesë e ceremonisë që do të shënojë inaugurimin e Hashim Thaçit si president i Republikës së Kosovës.