Momente tensioni në dyert e SPAK. Mbështetësit e Sali Berishës, të cilët u mblodhën para godinës së Prokurorisë së Posaçme teksa kryetari i PD po shkonte për t’u njohur zyrtarisht me akuzën që rëndon ndaj tij, janë konfrontuar me efektivët e policisë.
Disa persona u shoqëruan nga policia. Të pranishëm në protestën e paralajmëruar ishin edhe deputetë dhe funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, si Flamur Noka, Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi.
Pasi mbërriti në SPAK, Berisha deklaroi se arrestimi i tij ishte bërë me urdhër politik dhe se akuza nuk kishte asnjë fakt kundër tij.
“Jam sot për t’u paraqitur atyre zotimin solemn se Edi Rama jo që nuk do të marrë dot në këtë mënyrë mandat të katërt, por shumë shpejt do ta lëshojë atë me pjesën e trupit që ka më qejf në tokë. Prokuroria politike e Edi Ramës, bazuar në kallëzimin e rremë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dhe ish-ministrit të Brendshëm Taulant Balla, ka hetuar Sali Berishën në 3 breza deri te mbesat e tij, qysh kur ato nuk kishin lindur akoma. Ata kanë hetuar veprimtarinë e Partisë Demokratike duke filluar para 20 vitesh e deri te kandidatët për kryetar bashkie në vitin 2023. Por, me urdhër politik, mercenarët e prokurorisë politike të Edi Ramës, mbajnë në arrest antikushtetues kryetarin e opozitës prej 255 ditësh, pa asnjë fakt, dokument apo dëshmi, përveçse me dëshirën e Edi Ramës”, theksoi Berisha.
/a.r