Nga Fatos Tarifa
Pesë vite më parë, në shtator 2019, gazeta Dita ishte e para që i bëri jehonë shqetësimit publik mbi gjendjen e mjeruar të profesoratit shqiptar. Ajo i mori një intervistë intelektualit të njohur Fatos Tarifa, profesor i sociologjisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në New York University Tirana. Me një PhD të fituar në njërin prej universiteteve amerikanë më të shquar dhe me një përvojë akademike të gjatë e shumë të pasur në disa universitete të huaj, këtej dhe andej Atlantikut, kjo gazetë gjykoi se Prof. Tarifa ka përvojën dhe integritetin e duhur për t’u dhënë përgjigje shumë prej çështjeve që lidhen me këtë dukuri. Tarifa ishte i pari që sugjeroi iniciimin e një procesi vetingu në radhët e profesoratit shqiptar, të ngjashëm me vetingun në sistemin tonë të drejtësisë, të cilit t’i nënshtrohen të gjithë ata individë në institucionet e arsimit të lartë dhe ato të kërkimit shkencor (përfshirë edhe anëtarët e Akademisë së Shkencave) që mbajnë titujt “profesor”, “profesor i asociuar” dhe gradën “doktor”. Në intervistën e tij Prof. Tarifa argumenton bindjen e tij se thelbi i reformës në arsimin e lartë dhe sekreti i suksesit të saj qëndrojnë jo vetëm në mënyrën se si prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën se si “prodhohen” prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar, pra profesorati shqiptar. Ndërsa pesë vite më parë idetë e Prof. Tarifës ranë në veshët e shurdhët të atyre që duhej të dëgjonin, pavarësisht interesimit publik që zgjuan ato, sot është dita që për to të mendohet e të diskutohet seriozisht. Me këtë synim, sot, pas pesë vitesh, Dita e riboton të plotë intervistën e tij.
Prof. Tarifa, në librin tuaj Fjalor i paradokseve, që sapo është botuar, ndër të tjera më ka bërë përshtypje përkufizimi që ju i bëni fjalës “profesor”: “Titull që në Shqipëri e ka humbur kuptimin e vet. Shumë njerëz e mbajnë, fare pak janë ata që e meritojnë” (f. 196). Unë e pranoj, ky përkufizim shpreh një fakt të vërtetë. Këtë intervistë me ju dëshiroj ta zhvilloj pikërisht rreth këtij fakti dhe po e nis me këtë pyetje:
– Publicitet –
A mundet t’ia kthejmë kuptimin e vërtetë titullit “profesor” në mjediset tona akademike?
Po, veçse kjo do të kërkonte kohë dhe do të ishte një sipërmarrje e vështirë, për shkak të pengesave të shumta me të cilat do të ndeshej procesi i rimëkëmbjes së krejt piramidës së vlerave në sistemin e arsimit të lartë dhe në institucionet e kërkimit shkencor në këtë vend.
Është ky një proces që duhet t’i ngjajë vetingut që po kryhet aktualisht në sistemin tonë të drejtësisë?
Po, i ngjashëm me të, por specifikisht i ndryshëm prej tij për shkak të veçorive që kanë si subjektet njerëzorë që do të duhej të vetohen, ashtu dhe materia që do të duhej të merrej në shqyrtim, ose të kalonte në sitën e vetingut.
Por, a është kjo praktikisht e mundur? Pra, a mund të bëhet veting në universitete dhe në institucionet e kërkimit shkencor?
Asgjë nuk është e pamundur nëse një problem bëhet shqetësues për shoqërinë dhe nëse ekziston vullneti për ta zgjidhur atë.
Ç’është vetingu në fund të fundit? Një ekzaminim i vëmendshëm e kritik, në këtë rast i meritave mbi bazën e të cilave njerëzit që punojnë në institucionet e arsimit të lartë dhe në ato të kërkimit shkencor janë punësuar e promovuar duke gëzuar ato privilegje me të cilat shoqërohen gradat dhe titujt shkencorë që ata kanë marrë.
Me fjalë të tjera, vetingu në arsimin e lartë dhe në institucionet kërkimore është një vlerësim a posteriori i veprimtarisë dhe i meritave akademike të stafeve pedagogjikë dhe atyre kërkimorë, thuajse njëlloj si procesi i vlerësimit të një punimi shkencor para se ai të botohet, një farë “peer review”, për të parë, post factum, nëse vlerësimi i veprimtarisë dhe i meritave akademike të tyre ka qenë rigorozisht shkencor dhe plotësisht i merituar.
Vetingu i njerëzve me grada e tituj shkencorë në universitetet dhe në institucionet tona të kërkimit shkencor do të duhej të shqyrtonte nëse këto grada e këta tituj janë fituar në mënyrë të merituar, në përputhje me aktet normativë në fuqi në kohën kur ato janë dhënë, pra nëse janë të legjitimuara.
Kjo është plotësisht e mundur. E vështirë, por e mundur. Për më tepër, vetingu në sistemin e arsimit të lartë dhe në institucionet kërkimore është shumë më i lehtë sesa vetingu në sistemin e drejtësisë.
A është vetingu në botën akademike një praktikë e njohur, apo edhe në këtë rast po flasim për një “eksperiment shqiptar”?
Vetingu është një nocion kyç dhe një praktikë universalisht e njohur në institucionet akademike në të gjithë vendet e zhvilluar. Por, në këta vende, vetingu, pra vlerësimi i personelit akademik që punësohet në institucionet e arsimit të lartë, bëhet paraprakisht, para se njerëzit të merren në punë, përmes një procesi rigoroz përzgjedhës.
Po kështu, ky veting është shumë më rigoroz kur shqyrtohen kredencialet akademike të disertacioneve që përgatiten për marrjen e gradës “PhD” ose “doktor”, apo kërkesat për të fitur titujt “profesor” apo “profesor i asociuar”. Nëse vetingu kryhet mirë paraprakisht, sistemi mbahet përgjithësisht i pastërt e funksional dhe mjedisi akademik i shëndetshëm.
Kjo, në Shqipëri, deri më sot nuk ka ndodhur, ose përgjithësisht nuk ka ndodhur. Kjo është një ndër arsyet kryesore pse sistemi i arsimit të lartë dhe niveli i kërkimeve shkencore te ne janë këta që janë dhe profesorët tanë janë këta që janë—siç them në Fjalorin e paradokseve, shumë njerëz e mbajnë titullin “profesor”, fare pak janë ata që e meritojnë.
Është vërtet një situatë e paimagjinueshme! Kush nuk është bërë doktor shkencash dhe profesor në këtë vend! Me shumë prej tyre të vjen të qeshësh, por më shumë të qash.
Nëse je pjesë e sistemit dhe e njeh atë nga brenda, kupton se gjendja është edhe më problematike nga sa mund të mendoni ju, madje përtej së imagjinueshmes. Por jo e pashpresë.
Çfarë mund të bëhet për të dalë nga kjo gjendje?
Një vetting, si ai i gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, do të ishte një masë emergjente dhe një hap i parë për të zbutur sado pak efektet negative të kësaj dukurie në arsimin e lartë dhe në institucionet e kërkimit shkencor. Por, krahas me këtë rivlerësim të kredencialeve akademike të të gjithë individëve që kanë marrë grada e tituj shkencorë në këta 30 vitet e fundit, është e domosdoshme të bëhen më rigorozë kriteret dhe kërkesat për t’u bërë pjesë e trupave pedagogjikë në universitetet dhe në insitucionet tona kërkimore, si dhe kriteret për të fituar gradën “doktor” dhe titujt akademikë.
Nëse vetingu bëhet siç duhet paraprakisht, sipas parimit “Vetting before Getting”, sistemi qëndron i shëndetshëm e produktiv. Nëse sistemi është korruptuar dhe ka degraduar në atë shkallë që shohim se ka ndodhur në vendin tonë, ndërhyrja përmes një procesi vetingu bëhet jo vetëm e domosdoshme, por edhe emergjente, si e vetmja mënyrë që do të mund të ringjallte besimin te sistemi dhe shpresat e humbura.
Si do të duhej të kryhej një proces vetingu në universitetet dhe në institucionet kërkimore të vendit? Çfarë duhet bërë dhe si duhet të nisë e të kryhet ai? A keni ju vetë ndonjë sugjerim për këtë çështje?
Një patologji serioze te ne është ajo që mund të quhet “doktoratëmania”, rendja për të fituar gradën “doktor” edhe nga njerëz që s’kanë asnjë lidhje me shkencën, as meritat për të cilat duhet dhënë kjo gradë shkencore. Sado e habitshme që mund të tingëllojë, deri pak vite më parë Shqipëria kishte më shumë studentë doktorantë për frymë popullsie sesa Shtetet e Bashkuara, Kina apo Gjermania.
Ligji i ri për arsimin e lartë (i vitit 2015) duket se e ka frenuar avancimin e mëtejshëm të kësaj “sëmundjeje”, duke i bërë më rigorozë kriteret për marrjen e gradës “doktor”, apo jo?
Kjo nuk ka ndodhur aq për arsyen që përmendni ju, sesa për shkak se ministria e arsimit e ka pezulluar dhe po e fosilizon krejt sistemin e studimeve doktorale, duke penalizuar jo thjesht institucionet e arsimit të lartë që duhet ta akordojnë këtë gradë, por kryesisht ata individë të talentuar, të cilëve, për gati tre vite me radhë, u është privuar mundësia për t’u angazhuar në studime të nivelit doktoral. Një pjesë e tyre, për këtë arsye, zgjedhin të largohen nga vendi dhe të kërkojnë ta fitojnë këtë gradë diku gjetkë. Pezullimi in toto i studimeve të ciklit të tretë po e dëmton së tepërmi arsimin e lartë dhe shkencën në vendin tonë.
Pra, ju mendoni se kriteret për marrjen e gradës “doktor” duhet të jenë më rigorozë, por pa e penguar dhënien e kësaj grade nga universitetet tona kujtdo që e meriton atë.
Pikërisht. Nga ana tjetër, vetingu në arsimin e lartë dhe në institucionet kërkimore duhet të fillojë pikërisht si një rivlerësim i kritereve për përzgjedhjen e atyre individëve që pranohen të nisin studimet doktorale në universitetet tona, si dhe i kritereve që duhen përmbushur për të fituar gradën “doktor” në shkencë.
Përsa u përket atyre mijëra individëve që tashmë e kanë marrë këtë gradë, vetingu i tyre mund të shtyhej për një periudhë të mëvonshme, për një raund të tretë, pasi të kenë kaluar në veting të gjithë ata individë, të cilëve u janë dhënë titujt “profesor” dhe “profesor i asociuar”.
Kjo, mendoj, është një detyrë më e rëndësishme dhe më emergjente, sepse është pikërisht profesorati i sotëm ai që e ka katandisur sistemin në këtë farë soji dhe janë këta profesorë që do të vazhdojnë edhe më tej ta përçudnojnë atë, nëse nuk ndërhyet sa më parë përmes një vetingu skrupuloz.
Po kush do të duhet ta bëjë vetingun e profesoratit dhe si, në ç’mënyrë, duhet bërë kjo?
Në një mënyrë të ngjashme me vetingun që po u bëhet gjyqtarëve dhe prokurorëve për të spastruar sistemin e drejtësisë prej atyre që janë të korruptuar. Si një hap të parë, unë do të sugjeroja krijimin e një Komisioni të Pavarur për Vetingun në Akademe (KPVA). Ky komision mund të përbëhet nga 15 profesorë ndër më të shquarit, të cilët mund të organizohen, në numër të barabartë 3 (tre), në pesë nënkomisione, që të mbulojnë disiplina të përafërta dhe fusha të gjera studimesh në këto disiplina.
Anëtarët e këtij komisioni do të duhet të përzgjidhen me konkurs nga një Komision Ndërkombëtar (KN), i përbërë nga profesorë të ftuar prej dhjetë universiteteve më të mirë në botë. Vetingut nga ana e KPVA-së do të duhet t’i nënshtrohen, pa përjashtim, fillimisht të gjithë ata pedagogë e studiues të universiteteve shqiptare e të institucioneve tona kërkimore (përfshirë edhe anëtarët e Akademisë së Shkencave) që mbajnë titullin “profesor” dhe, pas tyre, në një raund të dytë, ata që mbajnë titullin “profesor i asociuar”.
Kriteret e vetingut dhe një sistem pikësh do të duhet përcaktohen nga KVPA. Vetingu do të duhet të shqyrtojë e të vlerësojë objektivisht kredencialet akademike të çdo profesori, duke filluar nga verifikimi i përputhshmërisë së titullit që ai mban me kriteret ligjorë në fuqi në kohën e dhënies së titullit, verifikimi i origjinalitetit të diplomave për gradat dhe titujt e fituar më parë, veprimtaria akademike e botuese pas marrjes së gradës “PhD” ose “doktor” etj., etj.
Unë jam i bindur se një pjesë e madhe, për të mos thënë pjesa më e madhe e profesorëve që punojnë në universitetet dhe në institucionet tona kërkimore nuk kanë kryer kurrë ndonjë studim të njëmendtë shkencor, që të ketë sjellë diçka të re në fushën e tyre të studimit (nuk bëhet fjalë për paradigma të reja në shkencë), ose që të kenë përdorur një metodë të re kërkimi.
Po kështu, jam i bindur se pjesa më e madhe e atyre që mbajnë titullin “profesor” nuk kanë botuar asnjë punim të tyre në ndonjë revistë me faktor impakti; ndërkohë, është e turpshme që departamentet universitarë dhe komisionet për dhënien e gradave e të titujve vazhdonë të pranojnë symbyllazi si revista me faktor impakti lloj-lloj revistash “phony”, që vetëquhen shkencore, që u atribuojnë vetes një faktor impakti që nuk e kanë dhe që, në fakt, nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën e vërtetë.
Edhe më shumë i bindur jam për faktin se pjesa dërrmuese e profesorëve tanë nuk kanë dhënë asnjë ditë të vetme leksion në ndonjë universitet të huaj (përveçse, ndoshta, në Strugë, në Tetovë, në Pejë ose në Prishtinë), siç kërkohet me Vendimin e Këshillit të Ministrave për fitimin e titullit “profesor”.
Dëshiroj të sjell vetëm një shembull. Disa vite më parë, kur sapo isha kthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku për disa vite me radhë jepja mësim në Eastern Michigan University, një kolegu im në Tiranë, A.F., që mban titullin “profesor”, më tha, me indulgjencë, se në rolin e njërit prej anëtarëve të KVTA-së (në atë kohë Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë), ai vetë i kishte bërë një nder kolegut të tij, Z.D., pedagog në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Tiranës, duke ndikuar në atë komision që atij t’i jepej titulli “profesor”, të cilin ky i dyti e mban qysh nga ajo kohë, pa plotësuar kriteret e përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave për marrjen e këtij tituli.
A.F. dhe Z.D. sigurisht nuk janë të vetmit që e kanë çnderuar sistemin meritokratik për dhënien e titujve akademikë. Rasti i tyre është vetëm një ndër qindra e qindra raste të tjerë, ndonjëherë edhe më të paskrupull se ky. Jam i bindur se, nëse Z.D. do i nënshtrohej një vetingu, ai nuk do të mund t’i justifikonte dot, pra as të vazhdonte t’i mbante titullin “profesor” dhe privilegjet akademike e financiare që rrjedhin prej tij. Z.D.-ët janë të shumtë dhe kanë krijuar ndërkohë një rrjet të gjerë profesorësh të ngjashëm me ta, që kontrollojnë e pengojnë sistemin e promovimit të vlerave të vërteta akademike mbi bazën e meritave, ndërkohë që bëjnë çmos të konservojnë një sistem antimeritokratik.
Dhe ju mendoni se vetingu i profesoratit tonë nga një komision si ky që ju propozoni, mund të bëhej me një sistem pikësh? A është kjo praktikisht e mundur?
Sigurisht që po. Kredencialet akademike të çdokujt mund të vlerësohen e të “maten” me pikë, duke marrë për bazë kritere të tillë si: (a) përmbushja një për një e kritereve që përcaktohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave për dhënien e titullit “profesor”, ose “profesor i asociuar”; (b) universiteti në të cilin është fituar grada PhD ose “doktor”; (c) numri i artikujve të botuar në revista me faktor imakti pas marrjes së gradës “doktor”; eksperienca ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor (eksperiencë pedagogjike e qenësishme në universitete të huaj, bashkëpunim akademik në projekte kërkimorë, ose si bashkautorë studimesh dhe artikujsh me studiues të huaj, referime në kongrese e konferenca shkencore të shoqatave akademike e profesionale ndërkombëtare ose të shteteve më të zhvilluar etj.).
Këto të gjitha mund të përcaktohen nga KPVA, në bashkëpunim me ekspertë e konsulentë të huaj.
Dhe cilat do të ishin efektet e një procesi të tillë vetingu në institucionet e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor?
Spastrimi gradualisht i këtyre institucioneve nga profesorët që i kanë marrë gradat dhe titujt akademikë në mënyrë të pamerituar. Kjo s’do të thotë domosdo largimi i të gjithë atyre nga puna, sepse një pjesë e tyre mund të jenë mësimdhënës jo të këqinj, por zhveshja e tyre prej titujve që mbajnë, tituj që, nëse duan t’i kenë, do u duhet t’i rifitojnë në përputhje me kriteret akademikë të parashikuar në aktet normativë që gjithashtu, duhet t’i nënshtrohen një rishqyrtimi shumë rigoroz.
Marrja e titujve “profesor” dhe “profesor i asociuar” në Shqipëri duhet të jetë diçka po aq e vështirë dhe e merituar sa edhe në vendet e tjerë më të zhvilluar. Të paktën këtë duhet të synojmë të arrijmë, edhe nëse kjo do të merrte një kohë të gjatë. Vetingu i profesoratit do të krijonte premisat për një garë të ndershme akademike, të barabartë për të gjithë në universitete dhe në institucionet kërkimore që titulli i profesorit të qëndrojë vetëm para emrave të atyre individëve që e meritojnë atë plotësisht.
Profesor Tarifa, idetë dhe sugjerimet tuaja janë interesante e të dobishme. A mendoni se këto ide e sugjerime duhen dëgjuar nga instancat më të larta të qeverisjes?
Këto janë vetëm disa ide e sugjerime. Shumë kolegë të tjerë, njerëz të nderuar në fushën e arsimit të lartë e të shkencës, mund të kenë edhe ata mendimet e tyre dhe sugjerime të tjera të dobishme për këtë çështje, të cilat lipset të diskutohen gjerësisht. Shumë prej tyre kërkojnë që vetingu në universitete dhe në institucionet kërkimore të kryhet.
Ky veting duhet bërë duke mënjanuar dy pengesa serioze: së pari, kundërshtimin dhe rezistencën brutale që domosdo do të vijë nga ai kontigjent jo i pakët i profesoratit të sotëm që i trembet vetingut (çka e bën vetingun edhe më të domosdoshëm e më emergjent) dhe, së dyti, pavendosmërinë, mefshtësinë, padijen dhe oportunizmin e ministrisë së arsimit, e cila do të duhej të mos përfshihej në këtë proces.
Vetingu i profesoratit shqiptar është një nevojë emergjente, nga përmbushja e së cilës mund të varen fatet e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në vendin tonë. Ai mund të ketë sukses vetëm nëse konsiderohet si një emergjencë kombëtare nga qeveria dhe nëse kjo e fundit angazhohet seriozisht për realizimin e tij.
Me kohë kam vënë në dukje atë që është bindja ime më e thellë se, thelbi i reformës në arsimin e lartë dhe sekreti i suksesit të saj qëndrojnë jo vetëm në mënyrën se si prodhohen dija dhe njerëzit e arsimuar por, sidomos, në mënyrën se si “prodhohen” prodhuesit e dijes dhe të njerëzve të arsimuar, pra profesorati shqiptar.
Bukur dhe sakte z. Tarifa. Me qe ra fjala (by the way, kur thote Tarifa), A.F = Artan Fuga; Z.D.= Zydi Dervishi.