Nga paralajmërimet e kërcënimet që erdhën në orët e fundit nga Serbia, nuk u shqetësua aspak… Madje vendosi që këtë të martë ta kalojë në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, bashkë me dy ministra të tjerë, vendosën gurëthemelin e parë të nënstacionit të ri të policisë në Leshak të Leposaviçit.
Shefi i qeverisë foli edhe për projekte të tjera zhvillimore. Shiu nuk e pengoi që të parakalonte në këmbë në urën kryesore mbi lumin Ibër, ndërsa sqaroi dhe çfarë po e vonon hapjen e saj edhe për automjete, siç shkruan A2.
“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, tha kryeministri i Kosovës.
Mes të tjerash, Kurti tha se nuk ka detaje për ndonjë takim të mundshëm të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel: “Beogradi nuk e njeh marrëveshjen që e ka pranuar. Tani e kanë kuptuar se kjo marrëveshje nuk i përshtatet ideologjisë të ‘Serbisë së Madhe’. Mendoj se duhet ta respektojmë marrëveshjen bazë të shkurtit të vitit të kaluar dhe ta zbatojmë atë”.
Ndërkohë, KFOR i ka kthyer menjëherë përgjigje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke konfirmuar qëndrimin se hapja e urës duhet të bëhet përmes dialogut dhe në koordinim me ndërkombëtarët, siç raporton A2.
Kolonel Salvatore Mascoli, zëdhënës i KFOR-it, u shpreh: “Për sa i përket çështjes së mundësisë së hapjes së Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe i qëndrueshëm gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetin ndërkombëtar. Në ndërkohë, KFOR-i do të mbajë prezencën e tij fikse në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth. Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjatë dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën. Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së”.