Të hënën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë.
Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje se vitin e kaluar, Kina dhe Spanja festuan së bashku 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe. Për më shumë se një vit, të dy vendet kanë ruajtur shkëmbimet dhe ndërveprimin e ngushtë në të gjitha nivelet dhe kanë promovuar bashkëpunimin cilësor në fushat e reja. “Viti i ardhshëm shënon 20-vjetorin e krijimit të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës dhe Spanjës. Të dyja palët duhet të mbështesin aspiratën origjinale të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, pikërisht të respektit të ndërsjellë e trajtimit të njëri-tjetrit si të barabartë, të mbajnë parasysh situatën e përgjithshme dhe të kenë një vizion afatgjatë, të pasurojnë vazhdimisht përmbajtjen bashkëkohore të partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet të dy vendeve dhe të krijojnë marrëdhënie afatgjata e të qëndrueshme me vendosmëri strategjike, duke i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë,” tha presidenti kinez.
Ai shprehu shpresën që Spanja do të vazhdojë të sigurojë një mjedis biznesi të drejtë, të barabartë, të sigurt e jodiskriminues për investimet kineze. Kina e vlerëson promovimin aktiv nga ana e Spanjës të shkëmbimeve e bashkëpunimit Kinë-BE gjatë mandatit të saj si presidente e radhës e BE-së në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Presidenti kinez po ashtu vuri në dukje se në botën e sotme, ku ngjarjet janë të ndërthurura, Kina dhe Spanja janë vende me një ndjenjë përgjegjësie e misioni dhe të dyja mbrojnë multilateralizmin e tregtinë e lirë. Kina është e gatshme të zgjerojë me Spanjën bashkëpunimin në tregjet e palëve të treta drejt Jugut Global, të forcojë komunikimin e bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara dhe G20, si edhe të shtojë energjinë pozitive lidhur me paqen botërore, qëndrueshmërinë dhe përparimin njerëzor.
Nga ana e tij, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shprehu kënaqësinë që pas një viti viziton sërish Kinën, gjë që sipas tij tregon afërsinë e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Miqësia mes Spanjës dhe Kinës ka një histori të gjatë dhe të dy vendet e kanë zhvilluar dhe thelluar vazhdimisht partneritetin e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, vuri në dukje kreu i qeverisë spanjolle. “Gjatë vizitës sime, të dy palët nënshkruan një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi për zhvillimin e gjelbër dhe fusha të tjera, duke treguar potencialin e madh dhe perspektivat e shkëlqyera të bashkëpunimit dypalësh. Shpresoj se të dy palët do të forcojnë shkëmbimet njerëzore dhe do të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, automjeteve me energji të re dhe fusha të tjera. Spanja do të ofrojë mjedis të mirë për ndërmarrjet kineze,” vuri në dukje ai. Më tej Sanchez shtoi se Kina dhe Spanja janë të përkushtuara për ruajtjen e paqes botërore dhe mbrojtjen e multilateralizmit. Spanja i sheh marrëdhëniet e saj me Kinën nga një perspektivë strategjike, i përmbahet me vendosmëri politikës së “një Kine” dhe është e gatshme të jetë një partnere e besueshme e Kinës. Sanchez-i u shpreh po ashtu se pala spanjolle mirëpret thellimin më tej të partneritetit të gjithanshëm strategjik me palën kineze, duke dhënë një kontribut më të madh për mirëqenien e të dy popujve dhe për paqen e lulëzimin botëror. Spanja mbështet parimet e tregtisë së lirë e të hapjes së tregut, nuk pajtohet me luftën tregtare dhe është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol aktiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm të marrëdhënieve BE-Kinë, vuri në dukje kryeministri Sanchez.
Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështje të tilla si kriza e Ukrainës dhe konflikti palestinezo-izraelit.