Narin Güran, 8-vjeçarja e cila dyshohet se është vrarë nga xhaxhai i saj, u gjet e vdekur në shtratin e një përroi pranë fshatit Dijarbakır, 19 ditë pasi u zhduk.
Trupi i vogëlushes ishte futur në një thes, mbuluar me gurë dhe me degë pemësh që të mos gjendej.
Funerali i 8-vjeçares u mbajt ditën e sotme, ndërsa Narin u përcoll për në banesën e fundit nga të afërm, pasi prindërit, vëllezërit, 4 xhaxhallarë të saj, si edhe e shoqja e xhaxhait, që dyshohet se autor i krimit, u vendosën në pranga të policisë.
Narin Güran u zhduk në provincën lindore të Diyarbakırit më 21 gusht dhe u zbulua vetëm një ditë më parë, më 8 Shtator, brenda në thes rreth dy kilometra larg fshatit ku ajo banonte.
Pas gjetjes së kufomës së 8-vjeçares, u arrestuan 24 persona mes të cilëve nëna, babai si edhe dy vëllezërit e saj më të mëdhenj.
Një i dyshuar, i cili u vendos në pranga pasi u konstatua se kishte shkuar me makinë në përroin ku u zbulua kufoma dhe që punonte për xhaxhain e vogëlushes, Salim Güran, ka rrëfyer detaje nga ngjarja shokuese.
I arrestuari ka deklaruar se Salim Güran “erdhi me automjetin e tij dhe më dha trupin e Narinit të mbështjellë me një batanije”.
Ai ka shpjeguar se e kanë futur trupin në një thes së bashku me kryeplakun e fshatit dhe më pas ky i fundit është larguar.
“Unë e mora thesin dhe e çova në përrua”, tha ai. Xhaxhai i viktimës, njëkohësisht edhe kryetari i fshatit, Salim Güran është arrestuar më 2 shtator lidhur me zhdukjen e Narin Güran, pasi mostrat e ADN-së në automjetin e tij përputheshin me ato të 8-vjeçares.
Nga rezultati paraprak i autopsisë të kryer nga një ekip ekspertësh prej 14 personash, në trupin e pajetë të Narinit nuk u konstatuan shenja të dukshme dëmtimi nga sende të mprehta apo armë.
Sipas raportit, nuk mund të bëhej asnjë vlerësim në lidhje me kohën e vdekjes së vajzës.
Ndërkohë mësohet se nga autopsia është konstatuar se kishte thyerje të gjurit në këmbën e majtë.
Mësohet se Narin i janë marrë 91 mostra gjatë autopsisë dhe disa mostra janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit.