Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se komisioni i Posaçëm antikorrupsion që drejtohet nga Fatmir Xhafaj do ta çojë projektin e nisur deri në fund.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës por edhe eksponentëve të shoqërisë civile se komisioni që drejtohet nga Fatmir Xhafaj është një tentativë për të kontrolluar SPAK-un, Rama tha se këto akuza janë thjesht fantazi.
Sipas tij, ky projekt është pjesë e procesit që kërkon Brukseli për përmbushjen e standardeve për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Sa shumë llafe dhe teori të ndryshme konspiracioni u bënë për projektin tonë të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. “Jo i ka zënë frika nga SPAK-u, jo duan të vendosin nën kontroll drejtësinë, jo u bënë bashkë me “nongratan”, për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe ku di unë fantazish të tjera akoma.
Në fakt, krejt e kundërta është e vërteta e atij projekti i cili nisi pavarësisht rezistencës absurde të atyre që nuk e kanë idenë as të shtetbërjes evropiane dhe as të përmbajtjes së procesit të negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që ka drejtpërdrejt për këtë projekt.
Ky projekt do të shkojë deri në fund në drejtimin e Fatmir Xhafajt pavarësisht nëse do të duan apo nuk do të duan ata që deri tani nuk duan”, u shpreh Rama.
Ai shtoi gjithashtu se ndryshimet në qeveri nuk janë bërë “thjesht ndryshime njerëzish. Sa herë ka qenë e nevojshme për të ndryshuar qasjen apo ritmin e punës në një drejtim apo një tjetër. Kemi ndërhyrë vazhdimisht në përmirësimin e sistemit të qeverisjes”.
/a.r