Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka prezantuar platformën ekonomike të opozitës. Gjatë fjalës së mbajtur, kreu i selisë blu tha se qeveria e majtë e ka zhytur vendin në krizë të thellë ekonomike. Basha tha se shqiptarët tek PD do të gjejnë alternativën për ringritjen ekonomike të vendit.
“Platforma jonë do të rimëkëmbë ekonominë pas goditjes që i bëri qeveria. Është fakt se ekonomia jonë nuk prodhon punësim; është fakt se borxhi publik është rrezik i madh për ekonominë; produktet shqiptare vuajnë mungesën e standarteve; bilanci tregtar vetëm përkeqësohet; nuk realizohen të ardhurat dhe as investimet publike; infrastruktura po përkeqësohet dhe po e pengon biznesin; janë rritur kostot e biznesit me fatura energjish dhe dyfishim taksash; nuk garantohet konkurrenca e lirë dhe e ndershme, por suksesi varet nga afërsia me qeveritarët; ka rënie të konsumit; largim të kapitalit nga vendi; pozicioni i vendit në raport me vendet e rajonit është përkeqësuar; shqiptarët janë më të varfër se dje. Këto janë të konfirmuara nga të dhënat konmbëtare dhe ndërkombëtare. Kjo qeveri e ka zhytur në depresion ekonominë shqiptare. Kjo nuk është Shqipëria që duan shqiptarët dhe që do të arrijë në BE. Është e qartë se Shqipëria nuk ka rilinduar. Na takon të punojmë për një të tashme dhe të ardhme të sigurtë. Kemi alternativë zhvillimi, ku do të mbështesim fermerin dhe sipërmarrësin pa dallim. Sa më shumë mundësi për ta, pasi janë pasuria e vendit. PD-ja ka një alternativë që garanton punësim dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët”, deklaroi Basha.
Basha tha se shqiptarët janë më të varfër se dje, gjë që sipas tij e tregojnë dhe largimet masive nga vendi.
“Modeli i zhvillimit i bazuar tek konsumi nuk jep rezultat. Shqiptarët janë më të varfër e se dje. Këtë e tregon dhe vendimi i qindra mijëra njerëzve që po largohen nga njerëzit. Kjo padyshim nuk është Shqipëria që shqiptarët duan. Nuk është Shqipëria, mes tyre dhe unë si prind që duan të rrisin fëmijët e tyre. Është e qartë se Shqipëria nuk është një vend që nuk ka rilindur, por një vend që nuk duan të jetojnë.”, -u shpreh kryedemokrati.