Nga Artur Ajazi
Korrupsioni, ka 34 vjet që përshfaqet si një “virus” i rrezikshëm dhe i pamposhtur për Shqipërinë. Institucionet dhe qytetarët e këtij vendi, asnjëherë më tepër se sot, nuk janë ndjerë më të rrezikuar, para kësaj të keqeje që ka prekur individin dhe shtetin. Ky fenomen, ka kapluar shoqërinë e çdo shtrese. Por edhe pse luftohet ai sërish duket sikur “trashet” , ndaj duhet një betejë frontale për ta mposhtur këtë fenomen kriminal. Korrupsioni është gangrenë, nga e cila degradon çdo shoqëri, veçanarisht ajo shqiptare, postkomuniste.
Shqipëria ka strukturat të panumurta shtetërore “Antikorrupsion”, dhe po ndërmerr plane zbatuese shumë konkrete, dhe strategji kombëtare në luftë kundër kësaj të keqeje të madhe. Organet relevante për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, (i klasifikuar ky i fundit si një krim i veçantë) po punojnë fort ta fitojnë betejën kundër tij. Kur korrupsioni kthehet në sistem, (siç nisi të kthehet kur pushtetin e kishte PD) atëherë situata komplikohet më shumë. Strukturat shtetërore antikorrupsion kanë paraqitur para organeve të drejtësisë, shumë raste ku në afera korruptive, gjenden të përfshirë edhe njerëzit e politikës, të cilët sigurisht pasurinë e krijuar e kanë të paligjshme, kur ajo nuk justifikohet me prova dhe fakte ligjore.
Korrupsioni tek ne, ka shtrirje në të gjitha sferat e jetës, dhe kjo e vështirëson luftën kundër tij. Korrupsioni nuk është diçka e thjeshtë, dhe shpesh ai paraqitet me elemente antiligjore dhe antishtetërore. Ligji duhet të veprojë shumë ashpër, kur mblidhen fakte se ka korrupsion në strukturat e larta, ose të mesme të shtetit. Lufta kundër korrupsionit është edhe luftë kundër aparatit burokratik dhe oligarkik. Iniciativat e kryeministrit Rama lidhur me forcimin e luftës ndaj korrupsionit, kanë nisur të japin efekte të mira.
Në rast se dëshirojmë të kemi shoqëri të shëndoshë, duhet eliminuar korrupsioni, pasi ai, ka mbërthyer organet shtetërore dhe veçanarisht politikanët. Lufta ndaj këtij fenomeni bëhet e shtrirë në të gjitha pushtetet, ku konstatohet dhe zbulohen fakte se ka korrupsion. Kur zyrtari apo titullari ka ndërgjegje të pastër, as nuk korruptohet dhe as nuk korrupton njeri. Por kjo qasje pozitive sot mungon.
Mungon në të shumtën e rasteve, dhe ka krijuar me shumicë raste korrupsioni. Ka shumë organe shtetërore që janë angazhuar të luftojnë korrupsionin, si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brëndshme, SPAK-u, etj, kurse përsa i përket gjykatave, ato duhet të jenë shumë transparente. Duhet të jenë të tilla pasi, ato janë më të akuzuarat për korrupsion. “Korrupsioni është shkaku dhe pasoja e krimit ekonomik”- u shpreh një prokuror në një studio televizive. Struktura të korruptuara kanë rezultuar deri lart, dhe kjo ka rritur luftën ndaj tij. Babëzia për të qenë i pasur brënda 1 apo 2 vitesh, ka korruptuar shumë politikanë që po mundohen të ruajnë pozicionet e tyre.
Ky lloj “virusi” mposhtet kur ndaj tij, shpallet lufta frontale nga gjithë shteti dhe qytetarët. Në rastin e korrupsionit, Shqipëria ka sot një front të përbashkët nga i cili mund të shpresojmë fitoren ndaj kësaj të keqeje të madhe e cila po gërryen themelet e institucioneve kushtetuese,duke rrezikuar zhvillimin normal të vendit dhe integrimin në BE.