Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku e cilësoi të shëmtuar veprimin e Gazmend Bardhit, i cili spostoi karrigen e Lulzim Bashës në Kuvend. Në intervistën me gazetaren Juli Krisafi në “Edicionin Qendror”, deputeti Çollaku tha se Partia Demokratike nuk duhet të paguajë faturat personale të anëtarëve të saj.
“Ajo historia e ndryshimit të ulëseve është e shëmtuar. Në 3 vite konflikt dhe debat në PD, momenti im personal më i vështirë ka qenë kur ulesha në sallën e parlamentit dhe shikoja që Sali Berisha kalonte dhe detyrohej të ulej prapa kurrizit tim. Nuk ishte e hijshme, e shëmtuar që një lider historik ta provokosh në dinjitetin e vet duke e ulur në fund të rreshtit.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Bashën, pavarësisht mërzive apo përplasjeve, është e padenjë ta dërgosh në rreshtin e fundit ish 10 vjet kryetarin e partisë, disa herë ministër. Më e shëmtuar ishte se si ne si në atë kohë ne heshtëm. Është një cenim që ne i bëjmë dinjitetit të partisë tonë, sepse kjo na bën të dobët para kundërshtarëve dhe qesharakë.
Kontraditat politike mund t’i trajtojmë me njëri tjetrin në mënyrë dinjitoze, Nuk mund të paguajë PD jonë deri në këtë pikë faturat e sherreve apo dashurive tona personale me njëri-tjetrin. I gjithë ky pësim, duhet të kthehet në mësim për t’u ndalur kjo histori.”, u shpreh Çollaku.