50% e maturantëve që kanë aplikuar për studimet e larta në Shqipëri, janë zyrtarisht studentë. Pas përfundimit të fazës së tretë të regjistrimeve rezulton se gjysma e aplikantëve tashmë i kanë zgjedhur degët në Universitete. Por numri i lartë i kërkesave për programe të caktuara i ka mbyllur regjistrimet në disa fakultete që në ditët e para të këtij procesi.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë tregon për A2 CNN se Mjekësia e Përgjithshme i plotësoi 436 kuotat brenda tri ditësh. Nga 19700 maturantë që aplikuan në Universitete, afro 36 për qind e tyre kërkuan degët e shëndetësisë. Rektori Xheladin Dracini thotë se aplikimi i konkursit elektronik për Mjekësinë e Përgjithshme ka rritur cilësinë e të rinjve në këtë program studimi.
Meqenëse ligji për studentët e Mjekësisë është anuluar, edhe këtë vit akademik të rinjtë e regjistruar për Mjekësi nuk do të kenë kontratë detyruese. Tarifa e shkollimit për ta do të jetë si më pare, 45 mijë lekë.
Ndërkohë raundi i parë i regjistrimeve në universitete do të vijojë deri më 13 shtator ku pritet të plotësohet 80% e kuotave në shkollat e larta. Për vendet e mbetura bosh dhe çregjistrimet do të këtë një raund të dytë, ndërsa më 7 tetor nis viti i ri akademik.
/a.r