Filmi i cili gjatë rrugëtimit nëpër festivale i ka shpalosur para audiencës ndërkombëtare pasojat e plagët e shoqërisë kosovare të shkaktuara nga përdhunimet gjatë luftës, ka marrë çmim në Marok.
“Taomuda e Artë” është çmimi me të cilin është shpërblyer “Tri dritare dhe një varje” i regjisorit Isa Qosja, në festivalin ndërkombëtar të filmit “Palmares Tetouan”. Ky është çmimi i 30-të që është shtuar në listën e vlerësimeve të filmit që është dhënë premierë në gusht të vitit 2014 në Festivalin e Sarajevës, ku ishte vlerësuar me çmimin “Cine Europa”, shkruan “Koha Ditore”.
Producenti i këtij filmi, Shkumbin Istrefi, ka thënë se çmimi në festivalin e Marokut është i veçantë për disa arsye. Ky festival sivjet ka mbajtur edicionin e 22-të, midis datave 26 mars e 2 prill, në Tetouan, qytet në veri të Marokut me rreth gjysmë milioni banorë.
Në ueb faqen zyrtare të festivalit, ku janë publikuar fituesit e çmimeve, është shkruar se në edicionin e sivjetmë, “Palmares…” nëpërmjet filmit ka ekspozuar tema të ndryshme që lidhen me krizën ekonomike dhe të identitetit, luftën kundër terrorizmit, emigrimet masive dhe ksenofobinë.
“Trofeu nga Festivali ‘Palmares Tetouan’, i fituar në një konkurrencë të dinjitetshme, për ekipin ka një domethënie të madhe në konfirmimin e vlerave artistike që shfaq ky film”, ka thënë Istrefi.
Sipas tij, udhëtimi i “Tri dritare dhe një varje” nuk përfundon këtu, por synimet e ekipit do të ndryshojnë.
“Meqenëse filmi tash e dy vjet udhëton nëpër festivale, presim që tash e tutje të ulet intensiteti i pjesëmarrjeve në festivale. Tash e tutje duhet të koncentrohemi më shumë në eksploatimin komercial të këtij filmi”, ka thënë ai.
Në filmin që shtjellon historinë e një mësueseje që trazon fshatin kur deklaron për mediet e huaja se ishte përdhunuar gjatë luftës, rolin kryesor e luan aktorja Irena Cahani. Përveç saj, në “Tri dritare…” luajnë edhe Luan Jaha, Aurita Agushi, Donat Qosja, përderisa rolin e gazetares së huaj e luan aktorja serbe Mirjana Karanoviç.
“Tri dritare dhe një varje” është projekt kosovaro-gjerman dhe producentja nga Berlini, Nicole Gerhard, është ajo që kishte marrë përsipër të siguronte pjesën tjetër të mjeteve. Bashkëpunimi me Gerhardin ka nisur pasi “Tri dritare…” në shtator të vitit 2012 u nderua me çmimin “Best Pitch” në edicionin e 14-të të festivalit të filmit “Cottbus”, në Gjermani, i cili përfshin forume dhe prezantime të projekteve të ndryshme filmike. Për dy vjet filmi është prezantuar në më shumë se 50 festivale të ndryshme nëpër botë.