Për herë të fundit e pa shë në orën 7:15, kur e përcolla nga shtëpia dhe i urova rrugë të mbarë. Por ai nuk u kthye më në shtëpi, më preu krahët”, tregon mes lotësh Jahe Deliaj, babai i pilotit Florjan Deliaj, i cili mbeti i vrarë gjatë aksidentit të së mërkurës, ku një helikopter tip “EC 145”, me numër bordi 637, u rrëzua në liqenin e Shkodrës. Në banesën e kapitenit 43-vjeçar ishin hapur dyert e mortit. Miq, familjarë dhe kolegë nuk gjenin fjalë për të përshkruar dhimbjen për humbjen e të dashurit të tyre tashmë “Dëshmor i Atdheut”. Babai i tij, Jahe Deliaj na tregon momentet e fundit me të birin dhe bisedat rreth fluturimit, i cili rezultoi i fundit për të.
Djali juaj, Florian Deliaj humbi jetën në një aksident tragjik me helikopter në Shkodër…
Lajmin e mora përmes televizionit “News 24”. Në fillim nuk u dhanë emra. U shqetësova… Edhe po të mos ishte djali im, do të qenë shokët e djalit tim, të cilët pothuajse të gjithë i njihja. Kur lexova emrin e djalit tim dhe të shokut të tij, më pushtoi një dhimbje që mund ta imagjinoni. Ai ishte i përkushtuar ndaj profesionit të tij, e kishte pasion. E njihte mirë profesionin. Këtë nuk e them vetëm unë, por edhe shokët e tij dhe eprorët, të cilët kanë ardhur edhe në shtëpi t’i japin nderimet e fundit. Ka bërë shumë kualifikime për fluturim, së fundi ka bërë edhe për këtë tip helikopteri, i cili i mori jetën. Ka qenë në shumë vende të Europës për specializim. Ka më shumë se 12 vite që fluturon rregullisht. Që ku është diplomuar në vitin 1998 në shkollën “Skënderbej” dhe derisa ndërroi jetë, ka qenë gjithmonë në marrëdhënie me Forcat Ajrore. Bëri vetëm 5 vite shkëputje, që emigroi në Angli, dhe më pas iu rikthye profesionit. E dashuronte atë punë; ishte i dhënë pas karrierës, jo pas parasë. Stërvitej çdo ditë në palestër për të qenë në formë. Mbaj mend që një herë kemi folur për incidentet që mund të ndodhin në fluturim dhe më pati thënë se rrëzimi mbi ujë është shumë herë më i fortë se rrëzimi mbi tokë pasi nuk ka amortizim. Kur mora lajmin, kjo bisedë m’u kujtua.
Keni mësuar ndonjë detaj si ndodhi?
Nuk i dimë rrethanat si ndodhi aksidenti. Kemi besim se gjithçka do të zbardhet. Por ai s’vjen më… S’më mbetet gjë tjetër vetëm t’i jap kurajë vetes e të bëhem i fortë. U uroj të tjerëve, kolegëve të tim biri të ecin në gjurmët e tij të punës, por të mos kenë fatin e jetës së tij. Djali im iku shpejt, vetëm 43 vjeç. La pas 3 vajza të vogla, bashkëshorten mësuese, dhe mua më preu krahët. Më thanë se sot Florjani është nisur nga shtëpia për të shkuar në shërbim… Çdo ditë nga shtëpia nisej. Bënte përgatitjet e veta për fluturim. Mbrëmë rastësisht e pyeta për punën, sepse zakonisht nuk e pyes. I thashë, ‘nesër keni fluturim?’. ‘Po, – më tha, – do të ikim në veri’. Doli në mëngjes dhe nuk u kthye pasdite, rreth orës 16:00, siç kthehej çdo ditë.
E mban mend komunikimin e fundit me Florjanin?
Komunikimin e fundit me të e kam pasur në orën 7:15 të ditës së mërkurë, kur e përcolla nga shtëpia dhe i urova rrugë të mbarë. Kaq. Kështu ishte fati i tij. Ai e mbylli me nder jetën e tij, por ne na la me një dhimbje të madhe./GSH