Ka nisur me tensione sesioni i shtatë i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.
Deputetët e Partisë Demokratike kanë grisur letrën e presidentit Begaj, teksa kryeparlamentarja Elisa Spiropali po mban fjalën në nisje të këtij sesioni parlamentar.
“Reflektimi duhet të jetë i përbashkët mes nesh, një reflektim që përfshin edhe qortimin e së shkuarës, edhe projeksionet për të ardhmen. Thirrjen time te sinqertë, t’t mbrojmë deri në fund qëndrimet tona, por me etikë parlamentare. Shpesh jemi sjellë si shkak dhe pasojë të njëri-tjetrit. Mungesa juaj e kontrollit ka sjellë shkeljen e tolerancës sonë. Debati dhe jo beteja, ndeshja e paprerë si të ndryshëm në ide, por të barabartë në të drejta, është rruga e vetme drejt të cilës ne do të detyrohemi të ecim.
Jo pa keqardhje mendoj se më pak se çdo gjë ka ndryshuar mendësia e të bërit politikë, e cila shpesh, në thelbin e saj ka mbetur ende në llogoret e viteve 90-të. Të jemi bashkë në identifikimin e disa prioriteteve që do të duhet të realizojmë deri në fund të kësaj legjislature”.
“Do të vijojnë punën dy komisionet e posaçme, qëllimi i të cilëve është avancimi i reformave, në mënyrë që të mos ketë asnjë kthim mbrapa. Mbështetja dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe i pavarësisë së degëve të qeverisjes, që ato të rrisin përgjegjshmërinë dhe transparencën para vendit dhe qytetarëve. Pozitive të bashkëpunojmë për komisionet hetimore, sepse bashkarisht duhet të zbulojmë gabimet e punës së institucioneve dhe të nxjerrim përgjegjësitë. Të provojmë se jemi ligjvënës të denjë, bashkëndërtues të institucioneve dhe bashkëmbrojtës të vlerave demokratike”.
/a.r