Deputetët e ministrat rikthehen sot në Kuvend, në nisje të sesionit të ri parlamentar me çështjet e mbetura pezull, por edhe objektivat për këtë legjislaturë të dhjetë.
Seanca nis në orën 17:00 dhe sipas traditës, në nisje të sesionit mbahet një seancë për të paraqitur objektivat. Këtë herë Kuvendi do të ketë në krye kryetaren e re, Elisa Spiropali. Nuk pritet të jetë një seancë me debate, pasi nuk është parashikuar ndonjë rend dite. Megjithatë, nuk dihet si do të veprojë opozita, e cila ka kërkuar së fundmi disa seanca me interpelancë dhe debat.
Seanca normale me rend dite pritet që të zhvillohet më 12 shtator, ditë kur është parashikuar të diskutohet edhe për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Edhe ky sesion i shtatë nis me çështje të nxehta, siç është diskutimi për mandatin e Olta Xhaçkës, ku opozita kërkon që t’i hiqet. Pas nuk mbetet as reforma zgjedhore, ku ligjvënësit ende nuk kanë arritur në një rezultat përfundimtar, edhe pse dhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pas nuk mbeten as kërkesat për komisionet hetimore për çështje si ajo e të dhënave apo një komision i ri për mikrokreditë, por edhe mbetjet toksike që kanë ngritur në këmbë institucionet vendëse e të huaja.
Para mbledhjes së Kuvendit, dy forcat kryesore politike do të mbledhin deputetët për të diskutuar prioritetet e betejës politike, takimi i grupit parlamentar socialist do të zhvillohet në orën 10.00 ndërsa takimi i grupit të deputetëve demokratë do të zhvillohet në orën 12.30. Ndërkohë që në orën 11.00 do të zhvillohet konferenca e kryetarëve e cila do të miratojë kalendarin e punimeve të parlamentit për 3 javët e ardhshme.
Në këtë kalendar, ligji më i rëndësishëm është ai për urdhrin e mjekut, ku janë vendosur rregulla të reja për mjekët që punojnë në spitalet publike dhe ato private në përpjekje për të përmirësuar shërbimin shëndetësor për qytetarët. Ndërkaq, opozita do të përpiqet të fokusojë debatin parlamentar te çështja e mbetjeve toksike, që pak javë më parë u nisën nga porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe Kinës. PD ka kërkuar interpelancë me Kryeministrin Edi Rama për këtë çështje dhe po shqyrton hapësirat ligjore që të ngrejë komision hetimor për të gjithë problematikën e mbetjeve të rrezikshme.
Opozita gjithashtu do të përpiqet edhe njëherë të gjejë konsensus me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhje. Pas votimit të korrikut, ku Parlamenti adresoi vetëm çështjen e votës së emigrantëve dhe modelin e hapjes së listës, palët do të ulen edhe njëherë për të diskutuar nëse mund të rishikohet ligji për probleme si shitblerja e votës, përdorimi e administratës në zgjedhje apo edhe riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për shkak se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në pranverë, këto janë muajt e fundit të jetës së këtij Parlamenti dhe për një pjesë të deputetëve, këto do të jenë seancat e fundit ku ata do të marrin pjesë. Pavarësisht së Parlamenti është në detyrë deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, ky është sesioni i vetëm kur mazhoranca mund të ndërmarrë nisma që lidhen me taksat, pagat apo pensionet. Kodi Zgjedhor e ndalon qeverinë dhe mazhorancën që në periudhën nga muaji janar deri në ditën e zgjedhjeve të marrë masa që sjellin përfitime për ndonjë kategori të caktuar, për këtë arsye se të gjitha nismat që qeveria synon të ndërmarrë, duhen kaluar në Parlament deri në fund të këtij viti.
Në muajin nëntor, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të dekretojë datën e zgjedhjeve të përgjithshme dhe e gjithë beteja politike në Parlament apo jashtë tij do të fokusohet te kjo datë. Edi Rama dhe socialistët do të kërkojnë të vendosin një rekord të ri duke fituar mandatin e 4, ndërkohë që Sali Berisha dhe demokratët do të synojnë të vijnë në pushtet pas një opozite të gjatë 12-vjeçare.