JavaNews është përpjekur të marrë zyrtarisht një prononcim nga Banka e Shqipërisë për të ardhmen e ngrehinës së “Dajtit”, por ajo s’ka ardhur qoftë edhe në formën e një përgjigje mohore. Ndërkohë projekti i hedhur poshtë pak muaj më parë, duket se nuk po rivitalizohet dot sërish, kurse Banka po përgatitet të marrë me qira mjedise të tjera…Arkitektët ende të ndarë për fatin e saj, shumica zgjedhin heshtjen, kurse më të moderuarit japin variante të ndërmjetme…
Nga Ben Andoni
“Që nga momenti kur kemi hedhur poshtë projektin për rikonstruksionin por që dilte nga volumi i godinës, nuk kam qenë shumë i përfshirë në të”, shprehet arkitekti Armando Vokshi, një nga oponentët e planit për rikonstruksionin e Dajtit.
Një vit më parë, pikërisht më 1 prill 2015, Gent Sejko kreu i ri i Bankës së Shqipërisë, i rihapi procedurat për rikonstruksionin e godinës së ish-hotel Dajtit. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës solli që prokurimi do realizohej me një kontratë tre vjeçare. Varësisht, projekti i rikonstruksionit të ish-hotelit “Dajti” u miratua edhe në Këshillin Kombëtar të Territorit, që mban vendimin e datës 21 korrik 2015. Anipse, u bë e qartë se godina e shpallur si monument kulture i kategorisë së dytë do t’i kishte ndërhyrjet referuar përcaktimeve të vendosura nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, ku duhet të liheshin të paprekur mjediset e jashtme, siç kishin qenë në projektin bazik. Qysh atëherë ka vetëm heshtje…
Marco Petreschi
…Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë e kishte menduar mirë emrin, që do t’i besonte rikonstruksionin e hotelit simbol, që kishte nën varësi. Arkitekti italian që drejtonte punën e rikonstruksionit të godinës qendrore të Bankës së Shqipërisë e ka prezantuar veten si një njeri që e respektonte punën e Gherardo Bosios, arkitektit të Dajtit ndaj u mendua si zgjidhja më e mirë, ndërkohë që po punonte edhe në të njëjtën çati me Bankën Qendrore. Kontrata me Petreschin ishte me prokurim të drejtpërdrejtë dhe u lidh më 23 nëntor 2011. Kohë më vonë, prokuroria në dosjen e saj për shpërdorimet e bankës, do të theksonte se Banka e Shqipërisë shmangu tenderin e hapur, i cili do i kushtonte 700 mijë euro. Në një shkrim investigativ, realizuar nga BIRN theksohet se:”Prokurimet e drejtpërdrejta kanë qenë një procedurë rutinë, e ndjekur rëndom nga Banka e Shqipërisë përgjatë drejtimit të Fullanit. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2014, tenderat e hapur zinin vetëm 18 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurimeve. Para se të lidhte kontratë me arkitektin italian, Banka e Shqipërisë kishte realizuar 17 prokurime “blerjesh të vogla” me vlerë 3 897 650 lekë, të fituara nga kompania “Altea Geostudio 200” në periudhën 3 shkurt-3 gusht 2011. Studioja kishte marrë përsipër të bënte studime gjeoteknike dhe analiza laboratorike mbi gjendjen e godinës!!!”
Atëkohë Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vlerësojë se studimet paraqesin mangësi dhe kërkuan kosto shtesë për projektet e mëpasme, të aplikuara nga Banka e Shqipërisë. Madje në dosjen e Prokurorisë kundër ish-guvernatorit Fullani do të theksohet se paratë janë shpërdoruar përmes procedurave të dubluara.
Kujt ia hodhën fajin në kohën e Fullanit?
Probleme të tjera dolën me të ashtuquajturat strukturat e dobëta të godinës së Dajtit. Në muajt korrik dhe shtator të vitit 2012, teksa punohej me projektimet, po punohej njëkohësisht për përzgjedhjen e kompanisë, që do të kryente prishjet në godinë. Edhe këtu ka shumë tollovi, sepse tenderi zhvillohet dy herë, kurse kontrata me kompaninë ABG, që e kishte fituar tenderin për ta prishur, arrin të zbatohet vetëm në masën 60 për qind. Arsyeja e parashtruar ishte se mungesa e një plani urbanistik për Tiranën do të thoshte të mos prekej territori i ish-hotel Dajtit.
Po ndërsa firma bëri ndërprerjen e punimeve prej strukturave të dobëta të godinës, të cilat duheshin forcuar para se të bëheshin prishjet, “Palët nënshkruan një dokument, ku kanë rënë dakord për mbylljen e kontratës. Diferenca e punëve të pakryera është 9.7 milionë lekë,” thuhet në dosjen e Prokurorisë, cituar nga BIRN.
Dhe më 25 shkurt 2013, ish-guvernatori Ardian Fullani do detyrohet të ngrejë një grup pune për të analizuar vlerësimet teknike dhe problemet e shpeshta që lidhen me qëndrueshmërinë e godinës.
Nga dokumentet e kohës del se ekspertët arritën në përfundim që “problemet nuk qe e mundur të vlerësoheshin më parë”. Ato u përkufizuan si “forcë madhore”; një ngjarje që nuk mund të parashikohej ose është jashtë kontrollit të arsyeshëm të palëve. KLSh e gjeti sërish fajtorin, përkundrejt pretendimeve se ka pasur “forcë madhore”, për Kontrollin e Lartë të Shtetit bëhej fjalë thjesht për mosndërhyrje në kohë në detyrat e projektimit, ato që vetë arkitekti Italian, Marco Petreschi i kishte marrë mbi vete në angazhimin për kontratën e projektimit me vlerë 700 mijë euro.
…
Larg të tjerave, prokuroria e Tiranës ishte më e qartë: projektet për ish-hotel Dajtin erdhën pasi Banka e Shqipërisë nuk kishte bërë që më parë një check-out të asetit që do të blinte. Dhe, ish-guvernatori do të mbajë mbi shpinë edhe akuzën e blerjes së një hoteli, që do e kthente si një ambient thjesht për zyra pune.
Në kohën tonë
Tashmë që Godina e re e Bankës së Shqipërisë është funksionale, duket se sërish kemi probleme dhe falë tyre ka dalë se godina e “Dajtit” ende s’i ka ardhur koha për përdorim! Dhe, vetëm pak ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës e Shqipërisë, shpalli se kërkon të marrë me qira për nevoja të institucionit ambiente shtesë, me shumën prej 106 milion Lekësh. Kontrata e qirasë është preçizuar për një periudhe trevjeçare, teksa si përmendëm më sipër ka nxjerrë në dukje edhe fatin e ish-hotel “Dajtit” në bulevardin kryesor, e cila nga koha kur u ble prej qeverisë Berisha e deri më sot, përbën një nga plagët e gjalla të kryeqytetit. Në të gjithë këtë paradoks, duke gjykuar edhe nga kontrata 3-vjeçare e qirasë, arrin të kuptosh se kjo gërmadhë do të jetë deri në vitin 2018 apo nuk do jetë gati për stafin e bankës.
Javaneës ka qenë e pafatë të marrë një përgjigje lidhur me problemin, ashtu si para saj kanë tentuar pasukses edhe disa media të tjera të vendit…
Si mund të kalohej ky paradoks?
Godina e ish-Hotel “Dajtit” është pjesë e ansamblit të mbrojtur të Tiranës, që do të thotë se ka një status të veçantë mbrojtje dhe përgjegjësie institucionale të funksionimit të saj. Shoqata e Arkitektëve e ka vlerësuar projektin e restaurimit, por ka qenë kundër ndryshimit të destinacionit, fakt për të cilin s’ka qenë dakord edhe Këshilli Kombëtar i Restaurimit, referon Maksi Mitrojorgji anëtar i shoqatës së arkitektëve. Për të personalisht “Dajti” duhet të ruajë funksionin, kurse problemi duket ligjor, pasi Banka kur e ka blerë, si pjesë e marrëveshjes ka qenë dhe tjetërsimi, një fakt që Mitrojorgji personalisht, ka kërkuar mirëkuptimin nga Banka për mosndryshim destinacioni. Nga ana tjetër, arkitekti i njohur, ka vlerësuar projektin e rikonstruksionit të mjediseve shoqërore, ku veçon përpjekjen që interieri të kthehet sërish në modelin parak të kohës së vet. Ai i përmbahet në arsyetimin e tij faktit se godina ka qenë hotel, madje një nga më të mirët e kohës së vet dhe kur u ndërtua ka qenë një vepër arkitekture shumë bashkëkohore dhe shprehëse e një stili të caktuar arkitektonik, ku gërshetohej racionalizmi modern me presionin e stilit zyrtar fashist. Një përballje kjo shumë d.m.th. në arritjen e ekuilibrit kompozicional të veprës.
Hotel “Dajti” është një vend me histori politike për vendin tonë, si vend-mbledhje e shumë veprimtarive të regjimeve pushtuese dhe shfrytëzimit turistik nga ana e nomenklaturës së regjimit komunist. Por një zgjidhje e mirë do ishte, për arkitektin e njohur, cituar nga JAVAneës “që ngrehina të shndërrohej në një shoqëri hoteljere SH.A.( bankë-qeveri)për ruajtjen e funksionit dhe bilancit tregtar-ekonomik nëpërmjet pritjeve dhe aktiviteteve shtetërore e politike kombëtare apo ndërkombëtare, që sot pilotohen tek privatet, do mundësonte funksionimin e tij dhe shlyerjen e atij transaksioni abuziv prej rreth 30 milion Eurosh”.
…
Deri në vitin 1995, Hotel “Dajti” vazhdonte të ishte lidere në fushën e hotelerisë kombëtare dhe madje edhe rezultonte me bilance pozitive. Projekti fillestar i hotel “Dajtit” u realizua në fund të viteve ‘30 nga arkitekti italian, Gherardo Bosio, që vdiq 38 vjeç ende pa u mbaruar ndërtimi i vet. Një përpjekje e fundit për ta bërë efektiv per nevojat social-kulturore të kryeqytetit ishte edicioni i katërt i Bienales së Tiranës më 2004. Pas kësaj, gjithçka mori fund. Më vitin 2009, i kishin mbetur vetëm llambadarët, që vareshin nga panelet e lartë, si të vetmit dëshmitarë të kohës së pakthim të luksit. Ato ishin ndër aksesorët e realizuara nga Ponti dhe vetë Bosio, që konsideroheshin si nga më të gjeturit në Ballkan e që e bënin Dajtin njërin prej hoteleve më luksozë të kohës.
Përpjekja e parë reale për ta gjallëruar funksionalisht u bë më 28 Maj të vitit 2005, kur u zhvillua tenderi i hapur për shitjen e Hotel “Dajti”. Ai dështoi edhe pse me ofertë të ulët, pasi pati një bojkot të biznesmenëve shqiptarë e të huaj. Procesi i privatizimit te hotel “Dajti” dështoi edhe dy herë të tjera më pas. Agjencia Kombëtare e Privatizimeve bëri të ditur, se vlera fillestare e hotel “Dajti” në momentin e shitjes, ishte 1 miliard e 800 milionë Lekë. “Zgjidhja” përfundimtare iu dha një nga periudhat më të këqija të qeverisë Berisha, më 17 maj të 2010, kur u ble nga Banka e Shqipërisë për 30 milionë euro. Justifikimi ishte “nevoja urgjente për mjedise bankare”, por që kuptohej realisht se ishte një shiringë -ndihmë për Berishën. Për ironi të fatit, vetëm dy vjet më parë, në vitin 2008, ai vetë e kishte caktuar për ta bërë residencë të Ministrisë të Jashtme. Sot, më 2016, ajo është një ngrehinë pa destinacion dhe krejt e rrënuar vetëm 200 metra larg qendrës së Tiranës në pritje të kthehet në mjedis aksesiv për Bankën e Shqipërisë.