Ulja e normës bazë të interesit për lekun në fillim të korrikut nga Banka e Shqipërisë, për herë të parë në dy vite e gjysmë po reflektohet edhe te titujt qeveritarë. Në ankandin e fundit, atë të martës norma mesatare e interesit të bonove 12-mujore të thesarit ra në 3,15 për qind nga 3,17 që ishte më herët. Kjo pavarësisht se qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë u treguan të gatshëm të investonin vetëm 7 miliardë lekë nga 7,3 miliardë të nxjerra në shitje.
Norma mesatare e bonove të thesarit 1-vjeçare nisi në nivelin 3.4 për qind në fillim të vitit, për t’u rritur në gati 3.7 për qind në prill. Që nga maji, trajektorja ka qenë rënëse duke prekur në ankandin e fundit nivelin më të ulët që nga tetori i vitit të shkuar.
Për të joshur sa më shumë investitorët, tashmë për të marrë pjesë në ankand qytetarët duhet vetëm të hapin një llogari “cash” në një nga 11 bankat tregtare në vend, të bllokojnë shumën dhe me anë të kodit IBAN mund të paraqiten në Sportelet e Bankës së Shqipërisë për të investuar paratë.
Për të marrë pjesë në ankandet e bonove të thesarit, nevojiten së paku 300 mijë lekë apo 2 mijë euro apo dollar, ndërsa për obligacionet shuma në valutë rrite në së paku 3 mijë euro ose dollar. Letrat me vlerë 12-mujore po rezultojnë si instrumenti kryesor që qeveria po përdor për të marrë hua këtë vit.
/a.r