Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, u mbajt të mërkurën simpoziumi “Nga e kaluara në përkujtim: Kufijtë e diktaturës 1944–1991”.
Aktiviteti u organizua nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944–1991 (AIDSSH) në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë, Bashkinë e Pogradecit, Departamentin e Historisë (FHF); Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup; Institutin e Integrimit dhe Ish-të Përndjekurve Politikë dhe ICMP-në.
Simpoziumi synon të respektojë krijimtarinë akademike, me parakushtin që ajo të jetë e bazuar në dokumente dhe dëshmi gojore.
Për shumë të vrarë në kufijtë e Shqipërisë nuk ka varre, dhe as një studim të saktë, një fakt që tregoi edhe drejtuesja e AIDSSH-së, Gentiana Sula.
“Me hapjen e Arkivit kemi konstatuar një udhëzues të kohës i cili i detyronte organet të mos u japin gjurmët familjarëve. Besojmë që ka qenë një dëshirë për t’i shkëputur ngjarjet nga hetimi dhe për ta shkëputur nga kujtesa e nderimet këta persona. Rezulton që në disa raste ka të vdekur e të zhdukur në kufi. Kemi të paktën 10 aplikime në këtë kategori,” u shpreh znj. Sula.
Kalimi i palejuar i kufirit në vitet 1944–1991, sfidat dhe pasojat e tij tek njerëzit që guxuan ta shkelnin atë, dokumentimi i motiveve, ndërtimi i profilit të shkelësit të kufirit, identifikimi i shtigjeve dhe kthimi i tyre në vende të kujtesës, janë disa sfida që i paraprijnë aksionit të AIDSSH për hetimin e vendvarrimeve të dyshuara, për trupat e atyre që nuk iu dorëzuan kurrë familjarëve.
Atë kohë, ndër shumë të përndjekur ishte edhe familja Beci nga Velipoja. Gjek Beci, kryetar i Shoqatës për të Vrarët në Kufi, tregoi historinë e tij personale.
“Edhe më përpara kërkohej të internohej familja, të burgoseshin prindërit. Kur u liberalizua ligji morëm iniciativën me vëllain për t’u larguar. Pabesisht na vranë, megjithëse ishte liberalizuar ligji. Ata na qëlluan pa paralajmërim. Unë kam ngelur i plagosur dhe ka vdekur në vend vëllai im.
Në kufi vetëm në vitin 1989–1990 në rrethin tim janë vrarë 33 veta, që nga 4 vjeç, si Anisa Aleksandër Gruda, 16 vjeç Pëllumb Pëllumbi, një çift i ri i sapofejuar Dhurata Sokoli dhe Elez Kraja, që donin ta ndërtonin jetën e tyre në një vend tjetër, jo këtu ku mungonte liria, dhe shumë të tjerë. Mendohet që në vitet 1944–1991 janë vrarë ose zhdukur në kufijtë e Shqipërisë rreth 980 veta,” deklaroi z. Beci.
/a.r