Nga Mero Baze
Ka një përpjekje nga qeveria e Kosovës për të krijuar një dualizëm mbi ndikimin që duhet të ketë Shqipëria nga një anë dhe Kosova së fundmi, mbi shqiptarët e tjerë në rajon, ata që jetojnë në Preshevë dhe Bujanovc në Serbi, shqiptarët e Malit të Zi dhe ata në Maqedoni.
Madje para disa kohësh, Ministria e Jashtme e Kosovës, përmes zonjës Gërvalla, i ka tërhequr vërejtje ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë se Shqipëria po regjistron si diasporë, shqiptarë nga Presheva, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, pasi sipas logjikës së saj, ata janë vazhdimësi e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe duhet të kenë shtet amë Kosovën.
E vërteta është se shqiptarët në rajon janë të orientuar drejtuar shtetit të Shqipërisë, pasi atë kanë si identitet kombëtar. Madje derisa para se të bëhej kryeministër shqiptar ishte dhe Albin Kurti, pasi në emër të atij identiteti refuzonte shtetin e ri të Kosovës, flamurin dhe simbolet e tij.
Problemi që ka Shqipëria dhe konkretisht qeverisja e Edi Ramës me shqiptarët në rajon, përjashto Kosovën se ajo shtet i pavarur, është se ai nuk është përpjekur të ndikojë në vendimet politike të tyre, dhe është marrë vetëm me gjeste simbolike ndihmash, sic janë libra shqip, ndonjë rindërtim shkolle apo spitali dhe asgjë më shumë.
Ndryshe nga Edi Rama, Albin Kurti katër vitet e fundit, është përfshirë në mënyrë kapilare në jetën politike të shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë dhe Mal të Zi duke ndikuar në lidershipin shqiptar aty.
Falë Albin Kurtit, ne kemi sot një qeveri nacionaliste në Maqedoni, me një koalicion shqiptar që janë kukulla të tij, vetëm se Albin Kurti i donte dhe kukulla të veta.
Në Preshevë po ashtu ai ndikoi të zgjidhte kryetare komune këshilltaren e tij, dhe në vendlindjen e tij në Mal të Zi, sa herë nuk ja del dot, shton nga një parti të re.
Edi Rama natyrisht që bën mirë që nuk përfshihet në jetën politike dhe organizmin politik të shqiptarëve në Maqedoni Preshevë dhe Mal të Zi, por Shqipëria duhet të ketë gjithnjë një qëndrim politik ndaj situatave atje për ti orientuar shqiptarët se si të bëhen faktor politik properendimor.
Fjala vjen më 2017 në Maqedoni, Shqipëria u bë faktor vendimtar për fuqizimin e shqiptarëve, pasi i bashkoi ata në Tiranë kundër Gruevskit, me kërkese të kancelarive perëndimore, dhe SHBA. Krejt e kundërta e asaj që bëri Albin Kurti dy muaj më parë në Maqedoninë e Veriut, që i përçau dhe i ktheu në kukulla të ish-partisë së Gruevskit, që tani është ne vijen e parë kundër Perendimit.
Po ashtu në Preshevë dhe Mal të Zi, objektivi i Shqipërisë duhe të jetë se si shqiptarët e përçare të jenë sa më të bashkuar për të qenë faktorë politikë pro perëndimit në shtetin ku jetojnë, ku çdo politikë antiperëndimore është automatikisht persekutim për shqiptarët.
Për fat sot shqiptarët janë të lirë kudo në Ballkan, dhe kanë ato problematika që kanë dhe qytetarët e shteteve ku jetojnë.
Për këtë arsye është e rëndësishme që Shqipëria të jetë e vëmendshme deri në detaje dhe burimeve njerëzore që të ketë mundësi të ndikojë që shqiptarët të mos defaktorizohen. Dhe kjo padyshim bëhet përmes ambasadorëve të saj në këto tre shtete, të cilët nuk duhet dhe mos të jenë vende për qoka politike dhe njerëzore por personalitete me autoritet mbi shqiptarët.
Mjafton të kemi shembullin e Greqisë, e cila ka një strukturë të tërë diplomatike që merret me pakicën greke në Shqipëri dhe që ambasadori grek, merret me detaje me çdo grek të Shqipërisë të përfshirë në politikë. Madje ka përdorur dhe kartën e “non grata” për ata që e pengonin. Kjo për ta është e rëndësishme për të ruajtur orientimin e tyre nga shteti amë- Greqia.
Shqipëria nuk ka pse ta lëshojë këtë fushëbetejë, duke u kufizuar vetëm në gjeste solidariteti dhe bamirësie.
Ndryshe nga Albin Kurti, i cili kërkon të ketë ndikim politik tek shqiptarët në rajon, pasi do të tu tregojë perëndimorëve se mund tu hapë telashe dhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e Serbi, siç bënte Berisha më 1994 në Maqedoni dhe 1997 në Kosovë, Shqipëria duhet ta bëjë këtë si detyrë për ti kthyer shqiptarët në faktorë politikë që të diktojnë frymën perëndimore në këto tre shtete.
Krye arsyeja është se nëse shqiptarët nuk jetojnë në shtete demokratike properëndimore, janë të humburit e mëdhenj të Ballkanit, pasi do të jenë viktima të nacionalizmit dhe frymës autokrate të Lindjes.
Gjithçka që kanë fituar këto dy dekada, shqiptarët i kanë fituar vetëm se Ballkani është bërë më demokratik dhe është ende nën influencën e Perëndimit.
Çdo tendencë tjetër është kundër tyre. Ndaj është detyrë e Shqipërisë t’i fuqizojë si gardian të Perëndimit në Ballkan.