Çdo ditë, më shumë se 925 mijë automjete lëvizin në rrugët e Shqipërisë, të shtrira në rreth 18 mijë kilometra. Pjesa më e madhe e tyre djegin naftë, rreth 17 për qind benzinë dhe pjesa tjetër punojnë me gaz apo energji elektrike. Transporti vlerësohet si kontribuuesi kryesor i ndotjes së jarit në vend.
“Transporti është përgjegjës për shkarkimin e 3.3 milionë ndotje në ajër çdo vit. Ky është problemi më i madh i ndotjes në vend. Transporti publik zë një pjesë të konsiderueshme në djegien e karburanteve, duke u vlerësuar si kontribuuesi më i madh i CO2 në vend”, thotë për A2 CNN Rodion Gjoka, ekspert për mjedisin.
Një draft-ligj i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, hedhur për konsultim publik synon të nxisë përdorimin e biokarburanteve në vend, veçanërisht në transportin publik. Qeveria synon që të rrisë përdorimin e biokarburanteve me 1 për qind çdo vit për të arritur në fund të 2030 gradualisht në 7 për qind.
“Shqipëria është e angazhuar në kuadër të Acquis të plotësojë Objektivin kombëtar për Energjinë e Rinovueshme. Sasia minimale vjetore në treg e biokarburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport, të cilat plotësojnë kriteret e qëndrueshmërisë në përputhje me nenin 6 të këtij ligji”, thotë Gjoka.
Projektligji për “Biokarburantet” në fakt është depozituar në Kuvend që para 5 vitesh. Vitin e shkuar ai u hodh gjithashtu për konsultim publik, por pa sukses.
/a.r