Një histori e dhimbshme vjen nga një nënë italiane, që humbi vajzën e saj, ndërkohë që ishte me pushime në Shqipëri, pa harruar të thotë fjalët më të mira për shërbimin shëndetësor shqiptar.
”Alessia ishte mirë, por Covid-19 “infektoi” zemrën e saj, shpjegon nëna e një 38-vjeçareje, me origjinë nga Sedico dhe banuese në Mussoi, një fshat i Bellunos, shkruan Luca Vecellio për gazetën italiane ”Il Messaggero”.
Ajo thekson se mjekët e ndihmuan vajzën e saj në orët e fundit të jetës.
Alessia Vidotto vdiq më 15 gusht në Tiranë, ku ndodhej me pushime me djalin dhe bashkëshortin e saj, Eroldin.
E buzëqeshur dhe e shkujdesur, e punësuar në kompaninë ”Marcolin”, ajo vdiq brenda pak ditësh nga miokarditi fulminant, një inflamacion i rëndë i miokardit, i cili, në fazën më akute, mund të çojë në kolaps.
Në disa raste, kjo patologji, e shkaktuar zakonisht nga infeksionet, sëmundjet sistemike ose ekspozimi ndaj barnave dhe toksinave, kërkon transplant zemre.
Në këtë rast, sipas asaj që mësoi familja, mjekët nuk do të kishin asnjë dyshim për t’ia atribuar miokarditin drejtpërdrejt Covid-19.
Elga, nëna e Alesias, ishte dëshmitare e shembjes së gjendjes së saj shëndetësore pa mundur të bënte gjë tjetër veçse ta këshillonte që të kontrollohej.
Kur e kuptoi gjendjen e rënduar të vajzës, ajo mbërriti para orës fatale.
Nga mbrëmja e së martës së 13 gushtit, infeksioni i Alessias u përkeqësua me shpejtësi.
”Sipas mjekëve – dhe nuk kemi arsye të dyshojmë në fjalët e tyre – virusi do të kishte prekur mushkëritë dhe më pas do të kishte infektuar zemrën”, shpjegon nëna e saj Elga.
”Vajza ime ka qenë gjithmonë e qetë këto ditë. Ajo ndoshta nuk e kuptoi se çfarë do të ndodhte”, shton Elga.
”Të enjten në mëngjes Alessia u bë edhe më keq dhe ndërroi jetë”, thekson ajo.
“Asistenca ishte shumë e shpejtë. Është kujdesur absolutisht në mënyrën më të mirë të mundshme”, shton Elga.
/a.r