Muzeumi Kombëtar Ushtarak Francez po organizon një ekspozitë, në të cilën do të rindërtohet shtëpia ku Napoleoni jetoi vitet e fundit të jetës së tij, me mobiljet dhe sendet personale të ish-perandorit, të cilat janë sjellë enkas nga Shën Helena në Paris për herë të parë që prej kohës kur ai ishte atje në mërgim gati 200 vjet më parë.
Ekspozita “Napoleoni në Shën Helena: kujtesë e pushtuar” hapet këtë javë dhe do të vazhdojë deri më 24 korrik. Ajo përfaqëson një mundësi unike për të parë atmosferën e residencës së quajtur Longwood, një shtëpi me vende plot lagështi dhe plot minj, ku Napoleoni ka kaluar vitet e fundit të jetës së tij si i burgosur i qeverisë britanike, vetëm se i rrethuar nga libra dhe suvenire, citohet BETA.
Përgjithësisht do të ekspozohen rreth 240 pjesë arti, mobilje, sende dhe dokumentet personale, që nga vaska e Napoleonit, shtrati i tij dhe disa rroba, duke përfshirë edhe uniformën e njohur me kapën e famshme.
Bileta për këtë ekspozitë është e vlefshme edhe për të vizituar varrin e Napoleonit në Les Invalides në Paris.
Ish-perandori mbërriti në Shën Helena më 15 tetor 1815, pas një udhëtimi 69-ditor nga Anglia. I mposhtur prej mërzisë dhe pakënaqësisë, ai vdiq në 1821 kur ishte 53 vjeç.