Një grua angleze që zbuloi se ishte martuar me një pedofil të dënuar më parë është ende duke u përpjekur të divorcohet, pesë vjet pas martesës.
Jazmin Cullen, 24 vjeç, nga Carshalton, Surrey, po shijonte muajin e mjaltit në Brighton me të shoqin, Jason Cullen, kur gjyshja e saj gjeti foto të abuzimit me fëmijët në laptopin e burrit.
Më pas ajo zbuloi se Cullen, 31 vjeç, e kishte gënjyer edhe për identitetin dhe të kaluarën kriminale.
Dy vjet më herët, ai kishte qenë në burg për zotërimin e 8000 fotove abuzive me fëmijë, përfshirë disa të cilësuara si në gradën më të keqe të mundshme, të cilat i shkëmbente me pedofilë të tjerë.
Ai kishte bërë dy vjet e gjysmë burg dhe me Jazmin u takua pak pasi ishte liruar.
Ajo nuk dinte asgjë për sekretin e neveritshëm, derisa gjyshja e saj i gjeti në laptop dhe e kuptoi që i kishte shkarkuar Cullen.
Të dyja e denoncuan Cullenin, emri i vërtetë i të cilit është Jason Hodson, dhe ai u rikthye në gjyq, ku u dënua me punë në shërbim të komunitetit.
Ndërkaq, Jazmin e ka pasur të pamundur të divorcohet, pasi ai refuzon të bashkëpunojë për procedurat ligjore, duke e tërhequr zvarrë fundin zyrtar të martesës.
Duke kujtuar fillimin e marrëdhënies së tyre, Jazmin tha se në fillim ai dukej shumë normal e i dashur dhe “ende më duket e pamundur që bëhet fjalë për të njëjtin person”.