Sven Goran Eriksson, ish-trajneri i famshëm i Lazios dhe Anglisë, ka vdekur në moshën 76-vjeçare.
Suedezi vuante nga kanceri në pankreas dhe kishte njoftuar para disa muajsh se nuk i kishte mbetur edhe shumë për të jetuar, siç raporton A2 CNN.
Në vitin 2001, Eriksson u bë trajneri i parë i huaj në historinë e Anglisë dhe drejtoi “brezin e artë” që përfshinte lojtarë si David Beckham, Steven Gerrard, Wayne Rooney apo Frank Lampard.
Detyrën si trajner të kombëtares angleze e la pas Botërorit të vitit 2006 dhe më pas drejtoi Meksikën dhe Bregun e Fildishtë.
Gjatë karrierës së tij, ai drejtoi edhe klube si Benfica, Roma, Fiorentina, Sampdoria dhe Lazio.
Për shkak të problemeve të tij shëndetësore, ai la detyrën e drejtorit sportiv në klubin suedez Karlstad në shkurt të vitit 2023.
/a.r