Një rast i kontrabandës së ilaçeve nga Greqia është goditur në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Në pranga ka rënë një 36-vjeçar, i cili tentoi të fuste në Shqipëri 50 pako me medikamente për të cilat kërkohet licencë.
“Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, një autobus. Gjatë kontrollit në pjesën frigoriferike të autobusit u gjetën 5 paketime me medikamente (në total 50 pako), të pashoqëruara me faturë blerjeje.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. S., 36 vjeç, banues në Pogradec, pasagjer në këtë autobus, i cili dyshohet se posedonte sasinë e medikamenteve për të cilat kërkohet licencë nga organet kompetente.”
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
/a.r