Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Konferencën treditore të Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, njoftoi se në kuadër të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, qeveria do të ndërmarrë një valë të re reformash.
“Bashkë me partnerët në Bruksel jemi në një proces sistemimi të të gjithë hapave dhe piketave që do të duam të arrijmë për të rritur në ndërkohë masën e integrimit, pa pritur që të bëhemi anëtarë të BE-së. Kjo është dhe arsyeja pse pa na e kërkuar askush, kemi nisur një proces të ri përmes një synimi ambicioz për të lançuar një valë të re reformash, duke u organizuar në Kuvend me Komisionin Antikorrupsion”, tha Rama.
“Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re dhe ka luajtur rol kyç në zhvillimet transformuese të kësaj kohe. Sot, Shqipëria negocion anëtarësimin në BE, pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të të gjithë sistemit të organizimit të vendit. Skuadra përgjegjëse për 33 kapitujt u vlerësua me notat më pozitive nga partnerët tanë në Bruksel, ku vendi mori një vlerësim të qartë për gatishmërinë për t’iu përmbajtur standardeve të BE-së në të gjitha fushat. Ndërkohë, natyra e procesit të negocimit dhe ndërveprimit me BE-në është shumë dinamike dhe këtu dua të sjell në vëmendje një fakt konkret që lidhet me rolin proaktiv të Shqipërisë përmes një diplomacie dinamike në funksion të ndikimit të vetë BE-së për interesat tona, të para në një kënd më të gjerë, si pjesë e interesit të përbashkët rajonal dhe specifikisht dua të flas për hartimin e një politike të re të BE-së, përmes një instrumenti të ri financiar dhe zhvillimor për krejt rajonin tonë”, shtoi kreu i qeverisë.
Edi Rama theksoi se “ndërkohë që ne negociojmë anëtarësimin në BE, do mund të integrohemi gradualisht në tregun e përbashkët europian”.
“Kjo është diçka që është e re dhe që i krijohet si mundësi vendeve të rajonit tonë e që lidhet me rolin tonë proaktiv dhe me një qasje të re këmbëngulëse nga ana jonë për të bërë më të mirën për interesat tona dhe të argumentojmë përputhjen e interesave tona me ato të BE-së”, u shpreh Edi Rama.
/a.r