Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ishte në fshatin Vajzë të Vlorës i ftuar në festivalin historik, kulturor dhe artistik “Vajzë Festë 2024”.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti i Republikës u prit nga banorët e zonës dhe personalitetet pjesëmarrës në aktivitetin që zhvillohet prej dy vitesh, por që ka marrë përmasa kombëtare.
Presidenti Begaj nderoi atdhetarin Ali Asllani, birin e Vajzës, një personalitet i njohur shqiptar në politikë dhe letërsi, duke vendosur lule në bustin e tij të ngritur nga vetë banorët e fshatit.
Presidenti i Republikës vendosi buqeta lulesh edhe në lapidarin kushtuar dëshmorëve të Luftës së Vlorës dhe të Luftës së Dytë Botërore si edhe në bustin e Heroit të Popullit Perlat Rexhepi.
Kreu i Shtetit zhvilloi vizita në Vatrën e Re të Kulturës, në një sipërmarrje agroturizmi, si dhe në Parkun Arkeologjik të Amantias.
Ndërkohë, gjatë fjalës përshëndetëse në “Vajzë Fest” Presidenti i Republikës foli për rëndësinë e nismave të tilla që nxisin zhvillimin e mëtejshëm të fshatrave shqiptare, ruajtjen e traditave dhe afrimin e vizitorëve të huaj për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë historike dhe kulturore.
Fjala e Presidentit Begaj në festivalin “Vajzë Fest” në Vajzë të Vlorës
Të dashur pjesëmarrës, artistë, të ftuar nderi, dhe banorë të fshatit Vajzë,
Sot ndiej një emocion të veçantë që gjendem në këtë vend të bekuar nga natyra dhe të shënuar nga historia për të festuar së bashku një aktivitet që përmban në vetvete fuqinë për të rilindur e për të rigjallëruar jo vetëm fshatin e Vajzës, por edhe për t’i dhënë më shumë frymë shpirtit kombëtar.
Fshati Vajzë është më shumë se një emër në hartë, është vendlindja e Ali Asllanit, poetit të ndritshëm të këtyre anëve.
Poezia e tij është pjesë dhe reflektim psikologjik e gjuhësor i Labërisë.
Vepra e tij poetike të magjeps nga forca e shprehjes së drejtpërdrejtë, duke u bërë zëri i ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë.
Simbol i shpirtit të papërkulur shqiptar, përmes vargjeve të tij, Aliu ka ngritur lart vlerat dhe dinjitetin e këtij populli.
Është një nder i madh që të shkel në shtegun e poezive e në të njëjtat rrugë ku ai frymëzohej dhe krijonte.
Është nder e kënaqësi të jem në Vajzën e grave e burrave patriotë e trima antifashistë.
Nder përjetë të rënëve në luftë edhe atyre që pranuan pushkatimin e djegien tri herë të fshatit e nuk dorëzuan bijtë e plagosur.
E shkuara heroike e këtij fshati është treguese e karakterit fisnik të banorëve të tij.
Sot, bij të tij, të frymëzuar nga dashuria për vendlindjen, kanë ndërmarrë iniciativën për të rijetëzuar fshatin e tyre.
Festivali i Vajzës në këtë edicion të dytë është dëshmi e fuqisë së dashurisë për rrënjët.
Nëpërmjet artit dhe kulturës ne mund të rikthejmë gjallërinë në zemrat e komuniteteve tona. Rijetësimi i fshatrave përmes artit dhe kulturës nuk është thjesht një iniciativë estetike. Është një akt i përkushtimit dhe dashurisë për vendlindjen.
Për mua festivali është edhe një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, ku tradita dhe moderniteti bashkohen për të krijuar një realitet të ri, të mbushur me mundësi dhe shpresë.
Të dashur miq,
Rijetësimi i fshatrave tanë është një proces që kërkon përkushtim dhe punë të palodhur, por rezultatet janë të jashtëzakonshme. Përmes nismave të tilla nxisim zhvillimin e turizmit, duke sjellë më shumë vizitorë, më shumë jetë dhe më shumë gjallëri në këto zona të veshura me bukuri natyrore dhe trashëgimi të pasur kulturore.
Këto përpjekje do të sjellin edhe më shumë vëmendje dhe investime.
Pjesëmarrja në këtë edicion të dytë të festivalit është dëshmi e qartë e suksesit të tij dhe e rëndësisë që ky aktivitet ka fituar në kalendarin kulturor të vendit tonë. Jam i lumtur të shoh si Vajza ngrihet lart në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u bërë një qendër tërheqëse për artistë, turistë dhe dashamirës të kulturës nga e gjithë bota.
Ne jemi të gjithë bashkëudhëtarë në këtë rrugë të rilindjes së fshatrave tanë. Çdo hap që hedhim përpara është dëshmi e përkushtimit dhe dashurisë për këtë tokë të bekuar dhe shqiptarinë.
Le të punojmë së bashku për ta bërë Vajzën dhe të gjithë fshatrat e tjerë të Shqipërisë vatra të jetës, kulturës dhe bukurisë.
Ju falënderoj nga zemra për mikpritjen, bujarinë, praninë dhe kontributin tuaj për vendin!
Falënderoj në veçanti të gjithë ata që mundësuan organizimin e festivalit!
Ju faleminderit nga zemra!
/a.r