Drejtori i Policisë së Shtetit Haki ÇAKO priti në një takim Oliver HOFFMANN, Zëvendësshef i Sektorit Ekzekutiv të Policisë, Misioni EULEX, Kosovë.
Ky takim ishte në vazhdën e takimeve të kryera nga HOFFMANN me Drejtues të Policive të Rajonit, me qëllim vendosjen e kontakteve dhe rritjen e bashkëpunimit. Gjatë këtij takimi, nga të dyja palët u theksua bashkëpunimi i deritanishëm në luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit e radikalizmit, kontrollit të kufijve si dhe në drejtim të shkëmbimit të informacioneve apo hetimeve të përbashkëta.
HOFFMANN theksoi gjithashtu edhe gatishmërinë e Misionit EULEX në drejtim të shkëmbimit të informacioneve të rëndësishme për hetimin e veprave të ndryshme kriminale të kryera nga grupe që mund të veprojnë në të dy vendet, si dhe krijimin e lehtësirave për organizimin e takimeve rajonale me Shefat e Policive të vendeve të rajonit me qëllim koordinimin e veprimeve të luftës ndaj krimit.
Oliver HOFFMANN: Theksojmë bashkëpunimin shumë të mirë me Policinë e Shtetit Shqiptar, një proces të cilin do ta vazhdojmë më tej. Jemi mjaft pozitivë në evidentimin e shkëmbimeve të informacionit përsa i përket luftës kundër terrorrizmit dhe krimeve të rënda. Vendosja e pikave të kontaktit lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin e mëtejshëm të informacionit. Çështjet duhen ndjekur në kohë afatgjatë dhe si prioritet do të dërgojmë ekspertë që do të ndihmojnë në hetimin e ngjarjeve kriminale në fushën e vendosjes së eksplozivëve.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki ÇAKO vlerësoi ndihmën e ofruar nga Z. OFFMANN duke theksuar rëndësinë e takimeve të tilla si dhe e siguroi se Policia e Shtetit do të jetë një nga partnerët kryesorë në luftën ndaj krimit. Po kështu do të jetë e hapur ndaj çdo lloj bashkëpunimi me qëllim rritjen e sigurisë në rajon.
Haki ÇAKO: Për ne është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal. Me Kosovën kemi patur rezultate te përbashkëta në rritjen e sigurisë në rajon, luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin në pikat e kufirit ndërkombëtar, shkëmbim informacioni dhe kontakt të vazhdueshëm me Eulex. Në këtë aspekt operojmë sëbashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Vlen të theksojmë se ky bashkëpunim është në nivele të larta, pasi ne e shohim si një partner serioz.
Lufta kundër terrorrizmit është prioritet dhe bashkëpunimi me partnerët është i domosdoshëm.