Tetë shtatori i vitit të kaluar u konsiderua si datë shumë e rëndësishme për sportin pasi në Greqi Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Por tashmë kur po bëhet një vit nga kjo marrëveshje, në Kosovë nuk është bërë asnjë hap për të përmbushur marrëveshjen e nënshkruar, madje nuk është formuar as Komiteti Organizativ që do të merrej me punët operacionale në teren.
Për më tepër, tashmë ka edhe një përplasje ndërmjet Komunës së Prishtinës si mikpritëse e këtyre lojërave dhe Qeverisë së Kosovës si garantuese financiare e tyre.
Nga ana tjetër, anëtari i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Arben Fetahu ka bërë thirrje që secili autoritet përkatës t’i kryej detyra që i ka si përgjegjësi për këtë ngjarje madhore, duke shtuar se shpreson që këto ngecje të mos e rrezikojnë organizimin e këtyre lojërave në Prishtinë.
Sipas Kosova Press Ministria e Sportit për këtë çështje nuk i është përgjigjur interesimit te saj.