Edhe tre segmente të tjerë do të jepen me koncension, njëlloj si Thumanë-Kashar. Lajmin e bën të njohur ministria përgjegjëse për infrastrukturën që njofton se mbi një miliardë Euro janë parashikuar për ndërtimin e tre akseve të rëndësishme rrugore dhe se pritet të nënshkruhen kontratat për 3 segmentet e tjera, pasi të jenë shpallur fituesit.
“Segmenti Milot-Thumanë, është shpallur fituesi dhe jemi në fazën e negocimit të kontratës. Për Milot-Balldrenin, jemi në një fazë procedure për përzgjedhjen e projektimit, ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe transferimin e segmentit. Për Balldren-Muriqanin, jemi në fazën e studimit të fizibilitetit. Në lidhje me segmentin Kashar-Pezë-Lekaj, është shpallur fituesi, jemi në fazë negocimi dhe shumë shpejt do të nisin punimet dhe, për Lekaj-Fier, është shpallur fituesi dhe jemi në fazën e negocimit të saj”, u shpreh Enlekeda Muça, Zëvendësministër e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Burimet nga ministria e Infrastrukturës i thanë Televizionit Shqiptar se për të gjitha këto rrugë do të ketë një rrugë alternative. Formula e zgjedhur do të jetë ajo e Partneritet Publik Privat. Për akset e reja, ministria garanton se do të jenë me të njëjtën formulë si Thumanë-Kashar, pra do të jenë me koncesion.
“Do të jenë me pagesë, por do të ketë rrugën alternative gjithmonë në përdorim”, thanë burimet zyrtare.
Për tre akset ku janë shpallur fituesit e koncesioneve, vlera e investimit është mbi një miliardë euro.
Aksi Milot-Balldren me gjatësi 13.5 km do të kushtojë 53.5 milionë euro dhe do të ndërtohet nga bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive i tre shoqërive.
Nga ana tjetër aksi Kashar-Pezë-Lekaj me gjatësi 26.6 kilometra me kosto 570 milionë euro, do të ndërtohet nga gjashtë shoqëri ndërtim rrugësh.
Po ashtu edhe aksi Lekaj-Fier me gjatësi 46 km do të kushtojë 384 milionë euro. Kjo rrugë do të ndërtohet nga bashkimi i tetë bizneseve.
Në vitin 2024 janë programuar të investohen 135 miliardë lekë (1,3 miliardë euro), niveli më i lartë historik që nga viti 1990.
Nga viti 2020 deri më 2024, zëri i investimeve buxhetore ka arritur në 590 miliardë lekë, ose rreth 5,9 miliardë euro.
Nga viti 2014 në vitin 2024, qeveria ka injektuar në ekonomi mbi 1 triliard lekë, gati 10 miliardë euro, në formën e investimeve publike buxhetore, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
/a.r