Nikoll Marku, përgjegjës i laboratorit ku bëheshin analizat e arit dhe argjendit në Rubik, tregoi në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv momentin kur e kishte thirrur në zyrë Sali Berisha, në atë kohë president, pasi zviceranët thanë që në Shqipëri ka platin.
Marku tregoi se në të vërtetë në Shqipëri nuk ka pasur dhe nuk ka platin, por laboratori në Zvicër kishte bërë ngatërresë.
“Unë kam qenë përgjegjësi i laboratorit ku bënim gjithë analizat e mikroelementeve të floririt, platinit, argjendit.
Kur shkova në Zvicër, kërkova që të më bënin analizat e mostrave të mineraleve që ishin mbledhur në vendburimet tona. Kur vajtëm atje, floririn e nxorën fiks si unë, platinin ma nxorën 10 fish më të lartë. Po të ishte me atë rezultat platini do ishim një vend i jashtëzakonshëm.
E kundërshtova atë analizë. I thashë që nuk e kanë bërë analizën e rregullt sepse nuk ka mundësi që të ketë platin. Kështu e lashë atë pune. Por e mori vesh presidenti Berisha.
Banka e shtetit ia kish thënë. Më thirri në zyrë dhe më kërkoi që t’i përcaktoja vendin ku kishte platin dhe të bëja sërish analiza. Unë shkova në Rusi, në një laborator shumë të mirë të mikroelementeve.
Moska e nxori njësoj si unë dhe kështu nuk vazhdoi më kjo historia e platinit. Por zviceranët mendonin që në Shqipëri ka platin, por realisht nuk ka.”, tha inxhinieri në DritareTv.