Ishte një realizim fare i thjeshtë.
Mirlind Daku është mësuar të shënojë gola shumë më të vështirë në Premier Ligën e Rusisë, por gjithsesi kur arrin të katërtin radhazi, nuk është pak, një fillim i shkëlqyer për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, i cili shënoi me penallti në fitoren 2-0 të Rubin Kazan në Dinamos së Moskës.
Skuadra nga kryeqyteti i Tatarstanit, Kazan ka bërë një nisje shumë të mirë kampionatit dhe kjo kryesisht falë aftësisë rezultative të futbollistit shqiptar nga Kosova.
Daku ka 5 gola në vetëm 6 ndeshje, dhe është padyshim lojtari më i mirë i ekipit e me shumë mundësi, edhe njëri nga më të mirët e krejt ligës. Gjithsesi, ka edhe më shumë se kaq.
Daku ka 21 kontribute në total për skuadrën e tij, që kur debutoi aty, me 16 gola e 6 asistë, duke thelluar rekordin e ri të klubit.
Në të vërtetë, rekordin e vendosi që javën e kaluar, duke kaluar izraelitin Bibras Nacho, I cili e kishte arritur një gjë të tillë në 48 ndeshje, ndërsa “yllit” kuqezi iu deshën vetëm 33.
Për më tepër, vetëm tre lojtarë kanë qenë më të mirë se Daku në këtë periudhë në Premier Ligën ruse, dyshja e Zenit, Cassierra-Glushenkov dhe sulmuesi i Dinamo Moscow, Tyukavin.
Një sezon i jashtëzakonshëm për sulmuesin e Shqipërisë, edhe pse siç ka pohuar trajneri i tij, Rahimov, luan i dëmtuar dhe duke bërë injeksione.