Shqipëria do të rivitalizojë industrinë ushtarake. Ligji që tashmë ka hyrë në fuqi i hap rrugë modernizimit të kapaciteteve të trashëguara të kësaj industrie në vendin tonë.
Uzinat e Mjekësit, Poliçanit dhe Gramshit që prej vitesh janë thuajse jashtë funksionit do të ringrihen për të prodhuar armë, municion luftarak dhe pajisje të tjera për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, por edhe për tregtim jashtë vendit.
Sipas ligjit të ri puna në këto uzina do të koordinohet nga një shoqëri shtetërore, e cila do të mbajë emrin “KAYO sh.a’.
Me nisjen e punës së kësaj shoqërie tregtare fillimisht do të prodhohen elementet bazike të armatimit ushtarak, siç janë municionet, më pas me modernizimin e uzinave pritet që të prodhohen lloje të ndryshme të armëve dhe pajisje të tjera teknologjike në kuadër të procesit për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Prioritet do të jetë prodhimi për të plotësuar nevojat e vendit dhe më pas të kalohet për tregtim në tregun ndërkombëtar.
Investimi fillestar në këtë industri do të kapë vlerën 300 milion lekë. Sipas ministrisë së Mbrojtjes, shteti do të bashkëpunojë edhe me subjekte private për të përballuar koston e lartë, ndeerkohe qe investimi fillestar kërkon 30-40 milion lekë.
Rigjallërimi i industrisë ushtarake pritet të hape gjithashtu edhe mijëra vende pune në uzinat ku do të punohet.
Modernizimi i industrisë ushtarake vjen si kërkesë e NATO-s, në një kohë ku situata aktuale gjeopolitike ka shtyrë shumë vende të Evropës që të investojnë në fuqizimin e saj. Nga ana tjetër, Shqipëria pritet të forcojë pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në qasje të plotë me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. abcnews