Analisti Ben Andoni, në një analizë të situatës politike në vend dhe protestave të opozitës, tha se beson që funksionarët e opozitës më tepër luftojnë për të rënë në sy të kryetarit, që të kenë një vend në parlament më 2025.
Në një lidhje skype në News24 ai tha se liderët e opozitës Berisha-Meta nuk kanë miqësi të vërtetë, por raport të diktuar nga interesat.
“Duke qenë se jemi pranë zgjedhjeve, funksionarët e partive kryesore duan të bien në sy të kryetarëve të partive. Mund të ketë përçarje, si brenda opozitës, ashtu edhe brenda mazhorancës. Protestat janë të dobishme, për të protestuar për gjendjen në vend. Opozita ende nuk e ka frymën. Fryma krijohet kur njerëzit besojnë se kjo opozitë do ketë administratë të denjë për Shqipërinë.
Por mendoj se më tepër në protesta po luftohet për të rënë në sy të kryetarit. Shqipëria vazhdon të ketë probleme tepër të mëdha. Shqipëria ka problem atë që po ndjejmë të gjithë, humbjen e shpresës. Sa i përket dyshes Berisha-Meta, ata janë miq-armiq. Miqësia e tyre nuk është miqësi, por interes politik”, u shpreh Andoni.