Drejtori i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ), Gerard Ryle deklaroi se zbulimi i dokumenteve sekrete në rastin “Panama Papers” dëshmon se në çështjen e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal janë të përfshira edhe organizata mafioze.
“Ky rast me siguri do të shtojë presionin ndërkombëtar në ‘parajsën e taksave’ siç quhen shpesh vende të tilla si Panamaja, ku parregullsitë financiare kryhen përmes kompanive ‘offshore’”, theksoi Ryle.
Ai shtoi se nuk dihet se cili ishte i pari që zbuloi dokumentet sekrete në Panama, ndërsa në ICIJ ato i kishte dorëzuar gazetari i “Süddeutsche Zeitung”, Bastian Obermayer.
“Në vazhdim të projektit do të publikojmë shumë lajme të tjera me qëllimin e zbardhjes së çështjes. Jemi duke bashkëpunuar me afro 180 kompani mediatike. Gazetarët tanë aktualisht janë duke analizuar materialet e mbledhura”, tha Ryle.
“Kemi gjetur llogaritë e tre kompanive ‘offshore’ dhe disa individë të cilët janë të lidhur ngushtë me regjimin sirian. Një shembull është kompania që furnizon Assadin me karburant, e cila mundëson bombardimet dhe vrasjen e popullit të tij”, tha Ryle.
Duke theksuar se në mesin e njerëzve të cilët kanë pastruar para nëpërmjet llogarive ‘offshore’ në Panama ndodhen edhe anëtarë të dënuar të mafies, Ryle tha se dokumentet “Panama Papers” zbulojnë veprimtaritë edhe të mafies japoneze dhe italiane.
Firma juridike në Panama thotë se ishte viktimë e hakerëve
Njëri nga bashkëthemeluesit e firmës juridike me seli në Panama, që është në qendër të rrjedhjes masive të dokumenteve të njohura si Letrat e Panamasë, ka thënë se ishte viktimë e hakerizmit nga jashtë.
Personi Ramon Fonseca tha dje se kompania Mossack Fonseca ka ushtruar padi penale te prokurorët e Panamasë lidhur me këtë shkelje.
Sipas tij, ka dëshmi se depërtimi i hakerëve ka qenë nga Evropa, por ka refuzuar të paraqes ndonjë detaj.
Fonscea tha se firma nuk ka kryer krime “dhe në fund të kësaj stuhie me pluhur ju do të shihni më qartë” dhe se rrjedhja ishte shkelje e privatësisë.
Nga kjo rrjedhje masive e dokumenteve, të publikuara më 3 prill, në mënyrë simultane nga shumë organizata mediale në disa gjuhë, janë zbuluar detaje të korporatave jashtë vendit, të disa shefave të tashëm dhe të dikurshëm të shteteve dhe personave të tjerë të njohur.