Kryeministri i Britanisë, David Cameron ka reaguar më në fund në mënyrë të drejtpërdrejtë në lidhje me skandalin e Panamasë, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me kompanitë off-shore.
Kreu i ekzekutivit britanik u vendos në qendër të kritikave meqë babai i tij, ishte në listën e personave që dyshohet se kanë përdorur kompaninë ligjore “Mossack Fonsecca”. Gjatë fjalës së tij, Cameron theksoi se ai mban përgjegjësi vetëm për financat e tij personale, si dhe për sistemin e taksimit në Britaninë e Madhe, ndërkohë që dha edhe sqarimet përkatëse.
“Sa i përket financave të mia personale, unë nuk kam aksione në ndonjë kompani. Kam një rrogë zyrtare si kryeministër dhe në të njëjtën kohë kam disa kursimeve prej të cilave marr interesa. Në pronësinë time është një shtëpi në të cilën jetoja më parë, pasi tani jetoj në Dovvning Street. Kjo është gjithçka. Nuk kam aksione apo fonde në kompani off-shore dhe asgjë të ngjashme me këto”, tha Cameron.
Megjithatë, kryeministri britanik nuk komentoi në lidhje me financat e babait të tij, i cili ishte edh e protagonist në skandalin e Panamasë. Në mbyllje, Cameron shtoi se do të mbështeste një hetim të plotë të materialeve të publikuara, duke thënë se përgjatë qeverisjes së tij, ai është munduar që të krijojë një sistem sa më transparent taksues.