Personi që shihni në foton e mësipërme është Dodë Rica, pronari i rrjetit të klubeve të natës në Shqipëri dhe Kosovë, “Strip Club Shqiponja”.
Mirditori 47-vjeçar ranë prangat e bluve të Durrësit mëngjesin e kësaj të enjte, pasi akuzohet për trafik të qenieve njerëzore.
Rica u vu në pranga me kërkesë të autoriteteve kosovare të cilat kishin lëshuar masën “arrest me burg” për 47-vjeçarin.
Pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja” që prej vitit 2019 ka qenë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për vepra të ndryshme penale, përfshirë atë të shmangies së tatimeve.
Sipas asaj që mediat kosovare raportonin më herët Rica dyshohet se kishte kryer shmangie tatimore në vlerë prej 36 mijë e 389 euro. Bazuar në regjistrin e bizneseve në Kosovë, ai ka të hapura 5 njësi biznesi, njëra në Prishtinë dhe 4 tjera në Gjakovë.
Emri i Ricës, përmendet edhe në vitin 2018 teksa tentonte të hapte një strip klub poshtë bodrumit të Hotelit Grand në Prishtinë.
“Gjatë periudhës kohore 02.11.2017 deri në me datën 21.03.2019, përmes biznesit “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me seli në rrugën “Konjuhi” në Graçanicë, i pandehuri i lartcekur, me qellim të fshehjes apo shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, që parashihet sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat (Ligji Nr.03/L-222), të sanksionuar sipas nenit 63 par.1, duke dhënë shënime të pavërteta lidhur me te ardhurat e bizneseve të tij “Shqiponja Stript Club” Sh.pk, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, duke e dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës me shumës së përgjithshme 36,389.24 euro, në emër të biznesit të lartcekur”, thuhej në dosjen e Ricës të publikuar dy vite më parë nga Gazeta Insajder.
Rica, u arrestua së fundmi në lagjen nr.13 të qytetit bregdetar, Durrësit, me qëllimin ekstradimin e tij drejt Kosovës.
Gjykata Themelore e Prishtinës kishte caktuar ndaj këtij shtetasi më herët masën “arrest në burg” pasi akuzohet për veprën penale “Trafikim personash”.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Durrës/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
I akuzuar në Kosovë, për trafikim personash, vihet në pranga në lagjen nr.13, me qëllim ekstradimin, 47-vjeçari, pronar i një lokali nate, në Prishtinë.
Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, të DVP Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar D. R., 47 vjeç, i lindur në Mirditë.
Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim personash”.
Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit D. R.
/a.r