Shqiptarët dhe shtetasit nga vendet që nuk janë pjesë e zonës Schengen duke nisur nga data 10 Nëntor e këtij viti nuk do të marrin më vula hyrje apo dalëse në pikat kufitare të shteteve anëtare të BE-së.
Duke nisur prej kësaj date vulat në pasaportat fizike do të zëvendësohen me regjistrimin në mënyrë dixhitale që do t`ju bëhet të dhënave të udhëtarëve sa herë që ata hyjnë dhe të dalin nga kufijtë e jashtëm të Schengenit, për të siguruar që ata të mos qëndrojnë në zonën Schengen për më shumë se nëntëdhjetë ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Udhëtarëve do t’u kërkohet të paraqesin gjurmët e gishtave dhe do t’u realizohet skanimi biometrik i fytyrës në kalimin e tyre të parë. Ky informacion do të regjistrohet në një skedar dixhital.
Në kalimet e mëvonshme do të jetë e mundur të hyni më shpejt në kufijtë e zonës Schengen pasi policët kufitarë që menaxhojnë këtë sistem do të kërkojnë vetëm një skanim të pasaportës biometrike në një nga pikat elektronike të vetë-shërbimit nëse ekzistojnë në atë pikë kufitare për të përputhur dokumentin e identitetit me të dhënat biometrike të regjistruara.
Nëse të dhënat biometrike refuzohen nga sistemi elektronik në kufi, udhëtarit do t’i mohohet hyrja në territorin e vendeve evropiane. Rregullat e reja do të kërkojnë që qytetarët jo-BE të regjistrohen në internet përpara se të udhëtojnë pa pagesë.
Vënia në funksionim e këtij sistemi kontrolli të identiteteve është pjesë e masave që synojnë ta bëjnë më të vështirë hyrjen e kriminelëve apo terroristëve në BE me pasaporta false. Ky sistem duhej të ishte funksional që në vitin 2022.
“Ne do të dimë saktësisht se kush hyn në zonën Schengen me një pasaportë të huaj. Ne do të dimë nëse njerëzit qëndrojnë shumë gjatë, duke luftuar migrimin e parregullt. Dhe sistemi i hyrjes/daljes do ta bëjë më të vështirë për kriminelët, terroristët apo spiunët rusë përdorimin e pasaportave false, falë identifikimit biometrik: fotot dhe gjurmët e gishtërinjve. Do të ketë një paralajmërim të menjëhershëm: ky person nuk është ai që thotë se është”, tha Ylva Johansson.
Shumë ekspertë kanë shprehur shqetësimin se kontrollet biometrike të identitetit do të sjellin në radhë të gjata në kufij.
Ky zhvillim është i ndarë nga lançimi i ardhshëm i Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili do të fillojë të funksionojë në vitin 2025 pas disa vitesh vonesë.
Ky sistem i ri do të kërkojë që vizitorët nga vendet jo Schengen të aplikojnë për autorizim përpara udhëtimit në 29 vende evropiane dhe të paguajnë një tarifë prej shtatë Euro një herë në tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës suaj.
Udhëtarët nën 18 ose mbi 70 vjeç do të përjashtohen nga detyrimi për t’u regjistruar në këtë sistem. Shumica e aplikimeve do të miratohen brenda pak minutash, por disa vendime mund të zgjasin nga 48 deri në 72 orë.
/a.r