Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Prishtinë, në rrugën “Ismet Krasniqi”. Dyshohet se një grua ka vrarë me armë zjarri kunatin e saj.
Lajmi për mediat në Kosovë është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka treguar se e dyshuara femër është vetëdorëzuar në Polici.
“Sot rreth orës 19:20 kemi pranuar informatën për një vrasje, që ka ndodhur në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë. Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person e dyshuara N.M. femër”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast.