Ndarja nga jeta e figurës ikonike Vera Zheji në moshën 91-vjeçare është humbje e madhe për Shqipërinë.
E gdhendur në memorien historike të shqiptarëve si zëri simbol i Radio Tiranës, e pagabueshme në përçimin e fjalëve shqipe, miqtë e Verës e kujtojnë me nostalgji rrugëtimin e saj kulturor, ku spikaste jo thjesht për profesionalizëm por edhe për mirësinë.
Regjisori Gëzim Kame thotë: “Ishte një kënaqësi e madhe të komunikoje me Verën, një enciklopediste e vërtetë. Ishte një mësuese e gjithë shqiptarëve në radio për gjuhën shqipe! Diksionimi i saj ishte i jashtëzakonshëm, theksonte çdo gërmë të fjalëve, nuk i humbiste asgjë. Si dhe ishte një shembull i fjalës artistike që ishte lënda e saj. Unë humba një udhërrëfyese, sidomos të gjuhës shqipe! Kur vë shfaqje në skenë, me kërkesat që kam ndaj aktorëve, gjithmonë kam parasysh Vera Zhejin!”.
Regjisori Gëzim Kame rrëfen rrugëtimin e përbashkët 25 vjeçar me Verën në Akademinë e Arteve, si dhe ndjesitë e privilegjit të të qënurit krijues me të në bashkëpunimin regjisor-aktor në dy shfaqje ‘Shi në plazh” dhe “Mësues i letërsisë”.
“Shfaqja e saj e parë ka qenë Shiu në plazh, ku mbaj mend që përveç seriozitetit të saj artistik e disiplinës së fortë të punës që ja kishte diktuar mikrofoni që në orën 5 të mëngjesit që çohej tërë jetën. E saktë, ndërvepruese. Plus modestia e saj, ana shpirtërore me një thjeshtësi të jashtëzakonshme sikur të ishte asgjë, ndërkohë që ne ishim rritur me zërin e saj që fëmijë. Në jetën e përditshme ajo ishte gazi i shoqërisë, njeriu super pozitiv”, përfundon regjisori.
E lindur në një familje intelektuale, Vera Zheji ruajti vlerat e trashëguara si fillim me zërin e saj magjik në radio, talentin në aktrim, zhdërvjelltësinë në gjuhët e huaja, për ta mbyllur karrierën me studentët që ju mësonte fjalën artistike; duke u kthyer në një imazh të dashur e të paharrueshëm mes shqiptarëve edhe pas ndarjes nga jeta.