Kylian Mbappe u largua nga Paris Saint-Germain në këtë merkato vere, për të kaluar te Real Madrid në Spanjë.
Ndarja mes palëve nuk ishte aspak paqësore, kjo për shkak se drejtuesit donin ta mbanin dhe të rinovonin, diçka që nuk u pranua nga lojtari.
Tashmë ka nisur një “përplasje” tjetër mes palëve në distancë. Sipas asaj që raporton “Le Monde”, Mbappe ka paditur klubin francez, për pagat e prapambetura.
Sulmuesi është ankuar dhe pretendon se PSG-ja i detyrohet ende 55 milionë euro. Bëhet fjalë për një bonus prej 36 milionë eurosh që lojtari duhet ta merrte në muajin shkurt, plus tre paga të muajve, prill, maj dhe qershor, sipas kontratës mes tyre.
Mbappe ka njoftuar më herët për këtë Federatën Franceze, ndërsa ankesa ka shkuar edhe në UEFA. Në rast se akuzat vërtetohen, PSG-ja rrezikon dënim të rëndë si nga Federata, po ashtu edhe nga UEFA.
/a.r