Një ngjarje horror, si një skenar filmi, është regjistruar pasditen e djeshme në Tiranë, ku një shtetas amerikan ka mbytur bashkëshorten, dy qentë e tyre, dhe më pas i ka dhënë fund edhe jetës.
Çifti jetonte në Shqipëri, teksa autori i dyshuar i ngjarjes Mathew James Werts punonte si mësues në një shkollë në private kryeqytet.
Mes të tjerash policia ka gjetur edhe një letër lamtumire që autori kishte lënë në banesë, ku tregonte të gjitha veprimet që kishte ndërmarrë. Ai u kërkonte falje familjarëve të tij që nuk mundi dot t’ia dilte, e ndërsa më tej tregonte se kishte vrarë në fillim gruan, pastaj qentë, e se më pas do të vriste edhe veten.
Por si rrodhi ngjarja dhe çfarë ka mundur deri tani të zbulohet nga hetimet?
Në një nga dhomat e banesës të marrë me qira, e cila ishte e mbyllur u gjet e vrarë, paraprakisht e mbytur me litar shtetasja Indonezjane Saragih Indah Lilis Sartika, e datëlindjes 11.03.1976.
Po kështu po në këtë ambient janë gjetur të vrarë dy kafshë shtëpiake (qen). Paraprakisht mendohet se të dy qentë janë goditur me mjet të fortë (shkop bejzbolli).
Të dy shtetasit e mësipërm janë të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri dhe nga informacionet paraprake rezulton se janë bashkëshortë njëri me tjetrin.
Shtetasi Mathew James Werts, ishte i punësuar si mësues në një shkollë private në qytetin e Tiranës, ndërsa shtetasja Saragih Indah Lilis Sartika ishte e pa punë.
Ndërkohë janë sekuestruar provave materiale si;
– litarët e gjendur në trupin e dy kufomave;
– një letër e shkruar me shkrim dore në gjuhën angleze në të cilën përshkruan veprimet që ka ndërmarrë autori;
– dorëshkrime të mëparshme të shtetasit Mathew James Werts;
– dorëshkrime të mëparshme të shtetasit Mathew James Werts të sekuestruara në shkollën private ku ai jepte mësim;
– një telefon celular;
– katër kompjutera laptop;
– një shkop bejzbolli;
– një shumë parash në lekë shqiptare dhe valuta të huaja;
– një automjet tip Mercedes A Class, me targë AA 510 YP në pronësi të shtetasit Mathew James Werts.
Autopsia e kufomave do të kryhet më datë 20.08.2024 në Institutin e Mjekësisë Ligjore Tiranë.
Të gjitha provat e sekuestruara do ti nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme kriminalistike dhe Mjeko-Ligjore.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë.
/a.r