Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, ka nisur në orën 19:30 protesta për vrasjen e Egli Progës në Pogradec, nga Denis Meçe. Qindra njerëz janë mbledhur në Sheshin Skënderbej për të vijuar marshimin te Ministria e Brendshme dhe për ta përfunduar te Kryeministria. E pranishme në protestë është edhe motra e viktimës.
Ngjarja që tronditi opinionin publik javën e kaluar me vrasjen në Pogradec, është motiv kryesor i kësaj proteste. Vetë konflikti publik që u përfshinë institucionet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë për të kaluar përgjegjësinë tek njëra-tjetra, përforcoi dyshimet se diçka ka shkuar keq me zbardhjen e ngjarjes mbrëmjen e 10 gushtit në qytetin liqenor.
Denis Meçe është sot në arrest me burg për vrasje nga pakujdesia, ndërsa sipas policisë vrasja ishte me dashje. Prokuroria dhe gjykata nuk e mbajtën përgjegjësinë për lehtësimin e akuzës, çka shkaktoi reagimin e fortë të familjareve të të ndjerit.
Protesta e sotme është e organizuar nga “Shqipëria bëhet” e cila ka deklaruar se jo vetëm për këtë ngjarje, por edhe për një seri të tjerash, qytetarët duhet të ngrenë zërin.
/a.r