Nga Preç Zogaj
(Shkëputur nga libri “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura, botimet UET Press, 2012)
1- Djegia e fletëve të vitimit dhe vidioskandali “Meta-Prifti”
Në dhjetor të vitit 2010, ndërsa në Tiranë dhe në Bruksel po e tirrnin akoma çfarë të hetojmë e çfarë të mos hetojmë në kutitë e zgjedhjeve të një viti më parë, kryeministri Berisha, me një kthesë të vrullshme që nuk ishte e tillë për ata që ia njihnin mendjen, i përcolli njeriut të tij në krye të KQZ-së, Arben Ristanit, miratimin për djegien e fletëve të votimit dhe arshivimin e materaleve zgjedhore në arshivën e shtetit.
Në kushte normale këto veprime i parashikonte Kodi Zgjedhor, por kriza dhe përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e saj i kishin ngrirë. Më të marrë sinjalin nga eprori i tij, Arben Ristani firmosi blerjen e pesëqind litrave benzinë për djegien e fletëve.
Gjatë gjithë vitit, ndërsa Rama kishte kërkuar të hetohen materialet dhe fletët, Berisha kishte deklaruar disa herë se materialet i jepte, por fletët jo. Duke shtuar paskëtaj me krenarinë e një kavalieri se do t’i mbante gjithnjë në ruajtje ato fletë. Nënteksti: provën që kërkoni nuk ua jap, por edhe nuk e zhduk, që të mos mendoni se kam ndonjë merak.
Tani që Bruskeli dukej i lodhur me korridën pambaruar shqiptare, kishte rënë ora që kryeministri të hipte në shkallë e të fluturonte, siç thuhej në mbyllje të përrallave popullore.
Fletët do të digjeshin.
Materialet zgjedhore do të kyçeshin në arkiv për dhjetëvjet.
Kështu e kishte ligji. Të kapur dorë për dorë, ligjet shqiptare kishin krijuar një kordon sanitar kundër trasparencës. Duke dashur të evitonte me çdo kusht hetimin parlamentar të zgjedhjeve, Sali Berisha e kishte paditur si hermetik dhe antidemokratik legjislacionin e vendit të tij. Çfarë ky legjislacion nuk ishte në fakt.
Fletët e votimit u dogjën me ceremoni në ditët e para të vitit të ri 2011 pranë një përroi në periferi të Tiranës. Televizionet e thirrur enkas, filmuan flakët dhe tymin që ngrihej përpjetë në përqasje të një autodafeje, ku inkuzicioni dënon me djegie në turrën e druve një propozim për paqe.
Përtej flakëve dridhëruese imazhi flu i fytyrës së kryeministrit kishte kapur pre një nënqeshje, të cilën ia kishte qejfi ta tregonte, megjithëse hiqej sikur donte ta fshihte. Për inerci të një zakoni, i frymëzuar prej flakëve të porositura prej tij, ky zotëri po i pozonte ardhmërisë një pamje Luciferri, pa e vrarë mendjen nëse ajo, ardhmëria, do ta shkrepte apo jo aparatin e saj.
Po ato ditë kur përpjekja e gjatë e opozitës dhe e Bruskelit për hetimin e zgjedhjeve shqiptare po përfundonte në hi dhe në dry, ish ministri i Ekonomisë dhe Energjtikës, Dritan Prifti, publikoi në emisionin “Fiks fare” të Televizionit “Top Channel” një vidio shokuse të regjistuar tetë-nëntë muaj më parë në zyrën e tij, kur kishte qenë ende ministër. Në atë vidio Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shefi partiak i Priftit, ishte filmuar me një bllok në dorë në zyrën e këtij të fundit duke i diktuar porosi e kërkuar favore, përfshirë dhënien e një tenderi një mikut të tij përkundrejt një ryshfeti prej shtatëqind mijë eurosh.
“Shtatëqind mijë ishin për mua”, saktësoi Prifti në një intervistë shpjeguese në Top Channel, duke shtuar:“Meta nuk mund të ma thoshte mua shumën që do të merrte për vete, por merret me mend se shuma e tij ishte shumë më e madhe. Dhe nga burimet e mia rrezultonte se ishte shumë më e madhe”.
Për shkak të rregjistrimit pirat me mjete të maskuara, kolona zanone e vidios nuk ishte krejt e pastër, kishte oshilime, ndërprerje, rënie të volumit dhe kakofoni aty këtu. Por shifra shtatëqind dëgjohej qartë dhe po ashtu shumë qartë, me zë dhe me figurë, shquhej në ekran sekuenca emblematike, kur zoti Meta ia nxirrte në telefon ministrit aty për aty përfituesin e favorit që do të paguante rushfetin:
– Urdhëro, foli ministrit!- zoti Meta shihej duke ia kaluar sakaq telefonin e tij celular ministrit Prifti, i cili, duke e ditur se ora-kamera ishte në punë dhe po depozitonte parreshtur filmimin e takimit në lap top, rrinte si një nuse namuzqare që bezdisej pak, por s’mund t’ja prishte shefit të tij.
Biznesmeni matanë, edhe pse padron i dy ministrave në atë rast, fliste me edukatë, i vetedijshëm se nuk i kishte në dorë pa u marrë letrat dhe pa u rrasur në xhepa shukët e parave. Prifti i kërkoi t’i shkruante atij personalisht një letër.
– Alo, më shkruaj një letër ti mua, mirë? Po, po, mua ma dërgo, mirë?
Kur pas pesëqind ditësh e njëmijë peripecish zoti Meta do të merrte nga Gjykata e Lartë pafajësinë, me argumentin se fakti nuk provohej – domethënë vidioja nuk dëgjohej mirë -, po ajo Gjykatë, në vendimin e shpallur, do të konfirmonte se Ministri i Jashtëm kishte folur shtatëmbëdhjetë herë në telefon ditën e tenderit me bizensmenin për të cilin ishte bërë gjithë zhurma.
Me paramendimin e përdorimit të videos kur t’ja kërkonte puna dhe nevoja, Prifti i fliste biznesmenit me fraza të përgjithshme, që edhe Metës t’i krijonte përshtypjen se po ia zbatonte porosinë, edhe në dërrasë të kalbur të mos shkelte. Kishte gjetur këtë rrugë ky ministër për t’u mbajtur, për të mbijetuar e ecur përpara në klubin e të pafeve dhe hileqarëve ku e kishte hedhur fati apo ku kishte zgjedhur të bëntë pjesë: të filmonte të gjithë ata që vinin për t’i kërkuar favore kundrejt rushfeteve. Në radhë të parë kryetarin e partisë së tij, zotin Meta të cilin, siç do të thoshte vetë pas shpërthimit të skandalit të videopërgjimit, e njihte si kapobandë. Mandej njerëzit e kapos. Në të vërtetë këta ishin, s’para kishte të tjerë. Duke i dhënë leje dhe kohë vetes të montonte në zyrën e tij apo gjetkë një sistem përgjimi nëpërmjet orës së murit, zoti Prifi i kishte ngritur një pusi të madhe korrupsionit, por ndërkohë kishte celebruar aleancën e karrierës së tij me dobësitë, ligësitë dhe sëmundjet e tjera të natyrave të prishura. Në vartësi të rrethanave, ai do ta përdorte atë video hëm si luftëtar, hem për zhantazh.
Prifti e plasi në media vidion e famshme tetë-nëntë muaj pas rregjistrimit dhe pesë-gjashtë muaj pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës. Nuk mund ta dimë a e përdori apo jo atë video për t’i zënë kokën me derë Ilir Metës para dhe pas shkarkimit nga detyra. Por Berishës ia çoi. Edhe pse mund ta dinte se po e vinte në vështirësi të madhe kryeministrin dhe zor se do të nxirrte ndonjë gjë prej tij. Mes Priftit si individ dhe Metës si kryetar partie, Berisha do të zgjidhte kryetarin e partisë. LSI-ja ishte forca e vogël që e mbante në pushtet. Për pushtetin jepte gjithçka. S’bëhej fjalë të përfillte një vidio si ajo që i kishte sjellë Dritan Prifti.
Berisha s’begenisi as ta shikonte videon në fjalë. Ndoshta e mendonte edhe më të shëmtuar se sa ishte në të vërtetë. Dikur në opozitë e kishte vuajtur seriozisht zhvatjen e Shqipërisë prej duarve grabitqare e të pangopura të zyrtarëve të korruptuar. E kisha besuar vuajtjen e tij dhe kisha vuajtur edhe unë me të kur e kisha dëgjuar të thoshte nën zë në zyrën e tij: “E kanë vënë nën këmbë këtë vend dhe s’mendojnë gjë tjetër vetëm si t’i shqyejnë ndonjë copë”. Një përbetim i madh vibronte brenda asaj vuajtje. Shqyesit e Shqipërisë do ta paguanin shtrenjtë kur populli ta sillte përsëri në pushtet atë njeri. Por mjerisht, me kalimin e kohës, sidomos në mandatin e tij të dytë si kryeministër, Berisha ishte pajtuar me këta shqyes. Dukej paradoksale, por pikërisht vesi i shqyerjes, ishte koaaguluesi dhe garanti i besnikërisë dhe kohezionit në kualicionin e tij. Berisha u kishte dhënë Metës me shokë tri ministri, si tri lopë qumështore dhe i kishte lënë të lirë të bënin ç’të donin me to. Duke u dalë kësisoj nga gjykimet steriotipe si dorë e hekurt, por duke i futur ndërkaq në ngasje ata të LSI-së. “Jooo, s’na ndërhyn dhe s’na nget për asgjë”, thoshte Meta për Berishën lart e poshtë. Thoshte të vërtetën. Ndoshta mendonte se në këtë mënyrë i bënte reklamë zotit Berisha. Më fakt, pa dashje, bënte të kundërtën: akuzonte një kryeministër që nuk e kishte qeverinë nën kontroll; akuzonte një qeveri që kishte humbur kuptimin e drejtimit unik, siç është rregulli elementar në çdo qeveri të botës; akuzonte një qeveri që funksiononte me parimin “çdo parti çifliçet e veta”. Kjo ishte formula e unitetit që zbatonte Berisha në koalicionin e tij. Të bëjnë barrë të gjithë. Ai pra nuk do të skandalizohej po të shihte skena të ulta në vidion qëPrifit ia kishte lënë në dorë si patate përvëluese. Kishte neveri t’i shihte. Dhe kryesorja: Shikimi e bënte dëshmitar, e kompromentonte, e kapte në rrjetën e dijenisë, ndërkohë që mosshikimi e shpëtonte njëfarësoj nga këto telashe të ndërgjegjes.
E la Dritanin të bëntë ç’të donte me videon e tij. Ky ishte çasti i ndarjes së palumtur, për të mos thënë edhe të dhimbshme të Sali Berishës me deputetin që kishte mundësuar rilindjen e tij në karrigën e kryeministrit të nesërmen e zgjedhjeve të 29 qershorit. Kush nuk e mbante mend! Berisha kishte mbetur në kufirin e fitores, si Tantali mitologjik, pa e prekur dot. I duhej dhe një deputet. Një deputet baraz me pushtet. S’kishte ku ta merrte më. Ç’kishte qenë për të shtrydhur e kishte shtrydhur nga Jugu në Veri. Fitorja nuk ishte bërë që nuk ishte bërë. Por fati e kishte parë në orën me të keqe me dorën e ngritur të Dritan Priftit. Sapo ishte siguruar se ishte zgjedhur deputet, Dritani i kishte thënë jam me ty. Ky kishte qenë mandati i çlirimit të Berishës nga mundimet. Një mandat me shijen e trefishtë: të fitores një, të rimorkimit të LSI-së në koalicionin qeveritar dy dhe të tjetërsimit pa teklif të një mandati që ishte marrë me sloganin e largimit të tij nga pushteti dhe po përdorej për mbajtjen e tij në pushtet, gjë që përkëdhelte besimin e tij se respektohej dhe adhurohej edhe nga e majta.
Po, po! Ishte një gjë për të mos u harruar ajo që kishte bërë Dritani! Mirëpo politika nuk jeton në kujtime. Mirënjohja në politikë duhet të jetë një ndjenjë e vdekur, kur nuk përputhet me interesat dhe llogaritë e momentit. Dritan Prifti u end andej- këndej një verë dhe një vjeshtë me minën e tij me sahat, që nuk po trembte njeri. Ndërkohë lajmi se ai kishte jo një por disa vidio “shkatërruese” kishte marrë dhenë. Ishin të pakët njerëzit në opozitë dhe në media që nuk kishin dëgjuar për të. Kurioziteti, pritja, njëlloj dëshire e krerëve të opozitës për të mësuar më shumë, përzier me shpresën se mos me “minat” e Dritanit mund të arrinin çfarë nuk e kishim arritur dot me valën e protestave madhështore – të gjitha këto kishin bërë që figura e zotit Prifti të rrethohej me një kërshëri të veçantë. Ky me gjasë kishte filluar t’i lejonte disa nga miqtë e tij në opozitë të shihnin ndonjë gjë të vogël, si nga vrima e çelësit, në “dhomën” e tij të sekreteve. Këta i kishin përkedhelur zotit Prifti sedrën e heroit, gjithnjë nëse ai dëshironte të bëhëj i tillë në perspektivën e fitores së ardhshme të opozitës.
Prifti ia dorëzoi vidiopërgjimin e bisedës së tij me Ilir Metën drejtorit të emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakulli. Ky e trasmetoi siç e mori mbrëmjen e 13 janarit, duke shkurtuar në trasmetim disa fragmente parazitare që nuk kishin lidhje me pjesën ku shpalosej skandali.
Ajo ka qenë një mbrëmje shokuese për shumicën e shqiptarëve. Pasi u dha në “Fiks fare” , vidioja u muar dhe u ritrasmetua në kor nga shumë televizione të tjera, sidomos pjesët pikante ku flitej për paratë. Shqipëria të nesërmen gdhiu në pupla. Por kryeministri i habiti të gjithë, deri edhe mbështetësit e tij, kur iu vu punës me mish e me shpirt të ndërtonte një fabul tëmanipulimit të vidios, duke u kapur pas shkurtimeve për efekt trasmetimi që kishte bërë “Fiks fare”. Të gjithë e njihnin pasionin e këtij njeriu për karrigen, por pakush e kishte menduar se ai do të ndërmerrte një kryqëzatë kaq irracionale kundër “Fiks fare” dhe një fushatë kaq autodemaskuese në mbrojtje të Ilir Metës. Teoritë e tij të komplotit opozitar në një studio montazhi jo vetëm nuk ngjiten, por lanë pas ilaritetin e mungesës së logjikës elementare. Në fakt, duke reklamuar me forcë manipulimin e vidios nepërmjet shkurtimit, kryeministrit e pohoi atë integralisht edhe për pjesën e shkurtuar, të cilën publiku i gjerë pati rastin ta shihte pa ndonjë interes vetëm pasi “Fiks fare” dhe emisioni “Top story” i Sokol Ballës, për tu mbyllur gojën spekulantëve, e trasmetuan të plotë.
Figurën, zërin dhe fjalët e asaj vidioje i konfirmoi edhe Ilir Meta në reagimin e tij të parë të nesërmen e trasmetimit, por duke reklamuar një domethënie tjetër të fjalëve të përdorura. Shifra shtatëqind, tha ai, ishte përdorur në një kontekst tjetër, jo në atë të rushfetit. Ai u mundua t’i vishte një fabul të tijën gjithë takimit në zyrën e ish ministrit Prifti. Në fillim i ra gjoksit se do t’i qëndronte deri në fund sulmit “të orkestruar nga Rama”. Pak orë më vonë e pa vetën në rrethimin e frymës së revoltës që po ngrihej në gjithë vendin dhe u shtrëngua të jepte dorëheqjen. Ky gjest i tij nuk e uli megjithatë adrenalinën e një publiku që ishte bombarduar nëpër vite me bëmat e kuçedrës së korrupsionit në sferat e larta dhe ëndërronte prej kohësh t’i qepej një koke të madhe.
Indinjata e provokuar nga vidioskandali dhe ajo e poshtërimit të opozitës për kutitë ishin përzier si dy degët e një lumi të madh që endet andej këndej pa drejtim. Ky ishte janari shqiptar i vitit 2011. Edi Rama ishte prej javësh nën presionin e publikut opozitar dhe aleatëve të tij për të thirrur një protestë të madhe si atë të 26 nëntorit 2009 apo 30 prillit 2010. Tani që kishte dalë edhe vidioja dhe kryeministri kishte zbritur personalisht në fushën e betejës për të zhurmuar efektet e saj, presioni ndaj tij ishte akoma më i madh.
Rama dukej në dilemë. Pak ditë më vonë, kur situata ishte bërë mjaftueshëm inkandeshente, Rama shpalli 21 janarin si ditë të zemërimit të shqiptarëve me qeverinë e tyre. E quajti demostratë. Sqaroi se nuk do të kishte tribunë dhe fjalime si herë të tjera, se opozita do të ishte pjesëmarrëse aktive, por jo drejtuese e demostratës. Teza e demostratës pa drejtim, megjithëse e thirrur nga PS dhe Opozita, ishte absurd dhe plot nënkuptime: Demostruesit mund të bënin çfarë të donin.
Shqipëria opozitare po nxehej si në një rit dërvishësh. Duke parë çfarë bastesh të rënda po viheshin, Rama filloi t’i mëshonte kumtit se demostrata do të ishte paqësore. Por nuk linte pa shtuar se populli mund ta kalonte opozitën dhe opozita nuk mund ta pengonte popullin.
Retorika radikaliste ndërkaq kishte marrë flamurin. Krerët e disa partive të vogla, aleate me PS-në, flisnin për skenarë të dhunshëm tunizianë. Në takimet e kokave të nxehta ishte e vështirë të shtroje çështjen e përceptimeve të ndryshme që kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa për vendet arabe në krahasim me Shqipërinë. Kishte mungesë realizmi dhe teprim në retorikën e njësimit të zhvillimeve në Tunizi, Egjipt dhe Libi me situatën në Shqipëri, ku megjithë problemet e shumta të funksionimit të demokracisë, pushteti kishte ndërruar duar me zgjedhje katër herë në njëzet vjetër e fundit dhe vendi kishte arritur të bëhej anëtar i NATO-s. Teprimet në luftën politike kompromentojnë qëllimet dhe favorizojnë palën kundërshtare, thoshte Gandi. Por edhe njëherë , meqënese Berisha e kishte poshtëruar opozitën për kutitë e votimit dhe Meta ishte kapur në flagrancë me zë dhe figurë, psikoza e së drejtës morale të opozitës për revansh dhe ndëshkim e kishte shtyrë në cep arsyen.
Kishte megjithatë një ngushëllim në shtjellën e profecive të këqija. Njerëzit në tërësi do të vinin në demostratë të organizuar nga deputetët socialistë dhe këta socialistë nuk e kishin në kulturën e tyre dhunën. Nga ana tjetër për faktin se ishte qeveri e një vendi të NATO-s, qeveria “Berisha” nuk mund të qëllonte me armë zjarri mbi demostruesit, siç kishte ndodhur në Tunizi e po ndodhte në Egjipt.