Miliarderë e njerëz të veshur me pushtet, biznesmenë, individë të famshëm apo persona nga bota e krimit; që të gjithë kanë themeluar firma fiktive përmes zyrës së financave, Mossack Fonseca në Panama.
Por çfarë është një firmë e tillë? Kompania fiktive ka si zyra të saj vetëm një kuti postare; aty nuk gjen as punonjës e as drejtues, por thjesht një adresë.
Shumica e këtyre firmave të përbëra vetëm nga një kuti poste gjenden në të ashtuquajturat parajsa fiskale, siç është Lihtenshtejni e Andora në Europë, Karaibet, por edhe Panamaja, nga ku rrodhi skandali i 11 milionë dokumenteve për 214.000 firma të tilla.
Rastis që me mijëra firma të tilla të gjenden nën të njëjtën adresë. Edhe pse tingellon e çuditshme, në vende si Gjermania krijimi i tyre nuk është i paligjshem, por ai konsiderohet moralisht i dënueshëm. Shpesh firmat fiktive përdoren për të fshehur lëvizjen e parave, ato mund të shërbejnë për evazion fiskal, për të fshehur korrupsionin apo para nga burime kriminale.
Në plot raste, bankat vetë i ndihmojnë klientët e tyre në krijimin e firmave fiktive jashtë vendit. Kur një person, apo një firmë shkon tek një bankë dhe kërkon të fshehë një pjesë të pasurisë, banka gjen ndërmjetës, si në këtë rast, Mossack Fonseca. Ndërmjetësuesi themelon një firmë fiktive diku në një parajsë fiskale. E rëndësishme është të mos dalë emri i atij që jep pasurinë, prandaj vihen “drejtorë” sa për sy e faqe.
Personi që ofron paratë merr nga banka një kartë krediti, përmes së cilës ka gjithmonë akses tek paratë e veta. Kjo kartë nuk kalon përmes emrit të tij, por të firmës fiktive, me të cilën ai zyrtarisht nuk ka lidhje./Tch