Partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” ka kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje, ku sipas saj është e vetmja mënyrë që do të ndikojë në uljen e kriminalitetit dhe vrasjeve në vend. Bashkëkryetari i LZHK-së, Ekrem Spahia tha se ky dënim duhet të rikthehet vetëm për veprat tepër të rënda dhe të mbahet në fuqi derisa Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Duke iu referuar raportit të SPAK për 2023, Spahia tha se vrasjet me pagesë dhe krimet kundër jetës janë rritur frikshëm për shkak se “krimi nuk ka frikë nga shteti dhe ligji”.
“Nga raporti i SPAK për 2023 vrasjet me pagesë dhe krimet e grupeve kriminale janë bërë normë tipike shqiptare. Shkak kryesor është se krimi nuk ka frikë nga shteti dhe ligji që aktualisht është në fuqi dhe ndalohet dënimi me vdekje. Vrasësi serial mendon se do jetojë dhe do gjejë mënyrë për të dalë nga burgu i përjetshëm. Dënimi i fundit me vdekje në vendin tonë ishte në mars të 1995 dhe në qershor po të këtij viti Kuvendi miratoi ligjin ku ndalonte dënimin me vdekje pas aderimit të Shqipërisë në Statusin e Këshillat të Evropës. Sot gjendja e krimit në vend është përkeqësuar dhe lidhja me krimin e disa oficerëve të policisë së shteti dhe personave të drejtësisë perëndon edhe më shumë këtë situatë. Në Shqipëri ekziston dënimi me vdekje, por nga krimi për larje hesapesh. Duke marrë parasysh gjendjen e rënë të kriminalitetit ka ardhur koha të shikohen ashpërsimi ligjit për krimet kundër jetës duke përfshirë këtu edhe dënimin me vdekje”, tha Spahia.
Por a do të ndikojë kjo në prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, ku Konventa e Këshillit të Evropës ndalon dënimin me vdekje? Për Ekrem Spahinë kjo duhet të behet në konsultim dhe bashkëpunimin me BE dhe se duhet të aplikohet vetëm në disa kategori tepër të rënda të vrasjes me dashje. Sipas tij një shembull i kësaj është SHBA.
“Për disa kategori të mirë përcaktuara veprash të rënda në diskutime edhe me Këshillin e Evropës të rikthehet dënimi me vdekje deri sa Shqipëria të bëhet anëtare e BE. Ne mendojmë që rikthimi i dënimit me vdekje do ishte një masë efektive dhe më humanitare se dhjetëra ligje që flasin për të drejtën humanitare por nuk garantojnë jetën. Do uleshin ndjeshëm krimet. Burgimi i përjetshme ka një kosto të madhe dhe do ulen ndjeshëm veprimtaritë kriminale dhe drejtësia do ketë më pak hapësirë për të abuzuar me ligjin. A mund të na prish marrëdhëniet me BE? Ne mendojmë që ky hap të realizohet edhe me ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre. Dënimi me vdekje duhet të rezervohet vetëm për krimet e rënda të vrasjes me dashje dhe një shembull i kësaj është SHBA, vendi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Spahia.
/a.r
Cfare thote ky hajvan, po u rivendos denimi me vdekje do te ishte nder te paret qe duhet te shkonte ne p*** te semes per rolin ne grushtin e shtetit ne vitin ’98.