Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet në ligjin e Komisioneve Hetimore parlamentare hyri në fuqi dhe brenda 6 muajve në vazhdim, Parlamenti është i detyruar të rregullojë ligjin sipas përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji për Komisionet Hetimore u ndryshua në fund të vitit 2023 vetëm me votat e socialistëve në Parlament, akt që u kundërshtua nga opozita asokohe, madje ishte shkak për bllokimin e Kuvendit nga flakadanët dhe protestat.
Gjykata Kushtetuese i jep 6 muaj kohe parlamentit të plotësojë rregullimet ligjore dhe ky afat për Kuvendin skadon në mesin e muajit mars të vitit 2025, kohë e ngarkuar edhe me ethet e fushatës elektorale.
Me shumicë votash gjyqtarët kushtetues shfuqizuan disa nene të ligjit që lidhet me marrjen e lejes nga Prokuroria dhe Gjykata për pyetjen e dëshmitarëve apo me zhvillimin e mbledhjeve me dyer të mbyllura.
Sipas Gjykatës, mbledhjet e Komisionit Hetimor mund të zhvillohen me dyer të mbyllura, vetëm përjashtimisht kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për transparencë e informim në rastet e sekreteve shtetërore ose tregtare.
/rtsh.al