Nga Artur Ajazi
Në Pogradec, u vra një njeri, jo një pulë nga pakujdesia. Ngjarja e para disa ditëve në qytetin e Liqenit, ku humbi jetën një baba i 2 fëmijëve nga dhuna mesjetare e një personi që u arrestua nga policia, si dhe akuza e ngritur nga prokurori i çështjes “vrasje nga pakujdesia”, të bën të mendosh se Korça (dhe jo vetëm) mbetet qyteti ku jeta e njeriut nuk vlen, dhe akoma drejtësia, blihet me para. Të formulosh një aktakuzë të tillë, kur viktima u konstatua se u dhunua barbarisht, do të thotë ti japësh autorit të krimit qysh tani “pafajësinë”.
Edhe më herët, madje me qindra raste janë bërë publike nga media pothuajse çdo ditë, Gjykata dhe Prokuroria e Korçës, etiketohen dhe akuzohen nga qytetarët dhe banorët e atij qarku, si institucione të molepsura në afera korruptive. Jo në pak raste, prokurorë dhe gjyqtarë, policë dhe uniforma të OPGJ-së, janë kapur me korrupsion, duke marrë para nga qytetarët që duan drejtësi. Policia, Gjykata dhe Prokuroria e Korçës, njihen për skandale korruptive, ndaj mbetet detyrë urgjente e KLP-së, KLGJ-së, Kryeministrit dhe institucioneve të tjera hetimore dhe ligjzbatuese, të nisin hetimin ndaj rastit më të fundit të ndodhur në Pogradec.
Qyteti i Liqenit, i qetësisë, luleve, kulturës, Pogradeci i Lazgushit, nuk mund të njolloset nga akte të tilla kriminale. As drejtësia e re, nuk mund të baltoset nga një, dy apo tre, prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, që mbushin xhepat me para për të zbutur akuzat, dhe dhënë vendime skandaloze gjyqsore. Dy qytetet Juglindore të vendit, mbahen sot si “ajka e turizmit malor dhe kulturor”, ndaj nuk mund ta baltosin famën dhe imazhin e tyre një prokuror i zhytur në korrupsion as dhe një gjyqtar, i kapur prej “zverku” nga afera korruptive.
Ka ardhur koha të bëhet “qilizëm” me organet e ndryshkura të drejtësisë në Korçë dhe Pogradec. Një Komisariat Policie, që shkon me vonesë në vendin e ngjarjes, një trupë policore që mbledh me vonesë provat dhe faktet, dhe nuk gjen dot pamjet filmike të zonës ku ndodhi ngjarja kriminale, natyrisht lë vend për masa rradikale administrative dhe penale.
Nuk mund të tolerojë më asnjë minutë drejtori i Policisë Shtetit, një trupë policore që punon me mungesë të theksuar profesionalizmi. Qytete si Pogradeci , kontrollohen me 2 furgonë policie brënda 10 minutash. Reforma e nisur duhet të thellohet në komisariate, prokurori dhe gjykata të vendit.
Vemjet e mbetura nga lidhjet me korrupsionin dhe krimin prej vitesh, duhet të largohen dhe penalizohen. Dënimi i tyre penal, dhe marrja e pasurisë nga shteti, mbetet shpagimi më i mirë për ti dhënë dinjitet organeve ligjzbatuese.