Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot projektin për sheshin ‘Skënderbej’. Në një takim me anëtarë të Këshillit Bashkiak, arkitektë dhe qytetarë, Erion Veliaj tha se projekti është nisur nga administrata Rama në kohën që drejtonte bashkinë, ndërsa sot do të zbatohet nga Bashkia.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se projekti i ri përfshin minimizimin e trafikut të makinave dhe shtrimin me pllaka guri nga troje të ndryshme të Shqipërisë.
“E vetmja hapësirë që na bën të gjithëve të barabartë është trotuari dhe sheshet publike. Mu kujtuan punët e bukura të bashkisë nën drejtimin e Ramës, sikurse mu kujtua edhe sabotimi që iu bë një nyeje të rëndësishme që do të zgjidhte trafikun e Tiranës” – tha Veliaj referuar mbikalimit te Zogu i Zi.
“Politizimi deri në detaj i çdo guri që vjen nga Tropoja apo Skrapari, apo politizimi i pemëve që mund të vijnë nga Kosova. Si çdo projekt, edhe ky do të ketë kundërshtarët e vet, por historia do të shkruhet nga nipërit dhe mbesat tona” – tha Veliaj ndërsa shtoi se sheshi do të ketë edhe pedonale për biçikletat.
Sipas kryetarit të Bashkisë Tiranë, sheshi ‘Skendërbej’ nuk do të jetë një hapësirë unike standarde, por do të ketë disa lulishte dhe parqe të vegjël.
“Në sheshin e ri ‘Skënderbej’ ne po krijojmë një masë oksigjeni. Tirana sot është tre herë më e ndotur sesa mesatarja e Bashkimit Evropian” – tha Veliaj.