Edhe këtë të hënë punimet kanë vazhduar në Urën e Ibrit.
Gjatë ditës janë parë punëtorët e kompanisë së kontraktuar tek ngjyrosnin muret e urës që lidhë jugun dhe veriun e Mitrovicës.
Tani e një javë kanë nisur testimet për të parë qëndrueshmërinë e kësaj ure, ndërkohë që zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka bërë të dikur se kompania e kontraktuar për testim do ta dorëzojë të martën raportin për stabilitetin e urës te ministria e që pastaj do të publikohet.
Varësisht prej të gjeturave të këtij raporti do të vendoset nëse do të lejohet për qarkullim të veturave kjo është që është e mbyllur që nga paslufta.
Qeveria e Kosovës dëshiron hapjen e urës së Ibrit, megjithatë bashkësia ndërkombëtare nuk e konsideron si të hap të duhur një gjë të tillë, pasi konsiderohet se hapja e urës duhet të dakordohet në Bruksel në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë së hënës edhe nga Misioni i NATO-s në Kosovës kanë ripërsëritur një gjë të tillë.
“Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne e mbështesim plotësisht”, kanë thënë nga KFOR-i.
Ndërkaq, nga Beogradi, presidenti serb, Aleksandar Vuciç pretendon se Ura e Ibrit do të hapet “dhunshëm” me 14 ose 15 gusht.